Vriten dy marinarë shqiptarë, këputet kavo e rimorkiatorit “Iliria”

30/12/2014 00:00

Dy marinarë shqiptarë u vranë gjatë operacionit për tërheqjen e tragetit “Norman Atlantic”. Petrit Jahaj, 57 vjeç, dhe Edmond Hilaj, 59 vjeç, të dy nga Vlora, ishin pjesë e ekuipazhit të rimorkiatorit “Iliria”, kontraktuar nga një kompani greke për të mbajtur të stabilizuar tragetin e dalë jashtë kontrollit.

Gjatë punës, bashkë me rimorkiatorin “Adriatik” nisur nga Durrësi, një nga kavot është këputur duke goditur dy marinarët, e më pas duke bllokuar edhe helikat e rimorkiatorit. Në ndihmë shkoi rimorkiatori “Aulona”, pwr ta tërhequr anijen e dëmtuar në Portin e Vlorës.

Top Channel jep edhe pamjet e rimorkiatorëve, ndërsa hynë në gjirin e Vlorës. Më tej, nga bregdeti i Vlorës dallohet trageti “Norman Atlantic” ende nën mëshirën e dallgëve. Një skaf i policisë transportoi në port trupat e dy marinarëve të pajetë. Pas mbërritjes në port, kolegët e marinarëve të vrarë rrëfyen ngjarjen e rëndë.

Autoritetet shqiptare u njoftuan se një anije tregtare, rreth 16 milje më në veri të tragetit të braktisur, gjeti një trup që mendohet të jetë i pasagjerëve të tragetit. Pas njoftimit, drejt anijes tregtare është nisur anija luftarake “Iliria”, e cila mori viktimën.

Frika për përkeqësimin e bilancit të tragjedisë është ende e madhe. Mediat greke dhe ato italiane flasin për dhjetra persona që mungojnë. Në mungesë të një konfirmimi zyrtar, përflitet se numri i tyre shkon nga 37 deri në 40 persona.

Top Channel