Të shpëtuarit mbërrijnë në Greqi

30/12/2014 00:00

Kanë mbërritur gjatë orëve të natës në Greqi disa prej të shpëtuarve të tragetit që mori flakë jashtë brigjeve shqiptare, “Norman Atlantic”. E ndërsa ende nuk dihet me saktësi se sa ishin në të vërtetë pasagjerët në bordin e anijes, të parët që mbërritën në Athinë kanë qenë 43 vetë, të cilët u transportuan në kryeqytetin grek me një avion C-130.

Mes tyre ka gra e fëmijë si dhe dy shtetas grekë me origjinë shqiptare. Me lot në sy ata janë takuar me familjarët e tyre që kishin dale t’i prisnin.

“Po, ndodheshim ne bordin e anijes kur shpërthyen flakët. Kishte panik. Falenderojmë pilotët grekë dhe italianë. Dëgjuam shpërthime dhe në vazhdim tymi dhe zjarri mbështollën anijen. Pashë njerëz në det, nuk e di nëse jetojnë. Nuk kishim mundësi të largoheshim. Ishte shumë ftohtë dhe kishte dallgë të larta. Në fillim na ndihmuan,pastaj anijen e mbyti kaosi. Falenderojmë pilotët që na shpëtuan”, rrëfen një i shpëtuar.

Një tjetër  viktimë tregon se si ai ndenji për 24 orë mbi anijen e kthyer në një top të zjarrtë. Ai thotë se ishin të braktisur për orë të tëra dhe e vetmja shpresë e tyre ishte nga ajri. Por moti i keq e pengonte operacionin.

“Unë isha nga të fundit që u shpëtuam. Kam ikur nga anija rreth orës 6 të mëngjesit. Na morën me helikopter. Ata na ndihmuan. Në anije ishte kaos. Pashë me sytë e mi njerëz që hidheshin në det. Për fat ata dolën, por nuk e di askush se sa ishin në bord dhe sa u hodhën në det. Unë isha me fat. Jam këtu dhe tani do t’i bashkohem familjes time”, tregon një tjetër i mbijetuar.

Midis njerëzve që presin ka edhe familjarë të personave që nuk janë gjetur ende.

“Jemi duke pritur të afërmin tonë, anëtar të ekuipazhit. Ende nuk ka mbërritur. Është i gjallë dhe u shpëtua nga një anije mallrash. Ka komunikuar me të shoqen e tij dhe na thanë që do të vinte këtu sot, por ende nuk ka mbërritur”, thotë një familjar në pritje.

Përsa i përket shqiptarëve në portin e Gumenicës kanë mbërritur tre shqiptarë anëtarë të familjes Beqiri, kurse në atë të Patras një tjetër. Gjatë orëve të ardhshme pritet që të mbërrijnë edhe të tjerë. Në portin e Gumenicës ka qenë konsulli shqiptar në Janinë që ka pritur të mbijetuarit.

Më herët, Miltiadhis Varviciotis, ministrër i Marinës Tregtare greke, bëri këtë koment: ”Që në momentet e para ka qenë vetë kryeministri Samaras që ka kërkuar të bëhet e pamundura dhe të shpëtohen të gjithë njerëzit. Synimi është të gjenden dhe të kthehen në Greqi gjithë greket që janë në anije. Kemi vënë një linje telefonike në dispozicion të familjarëve. Të telefonojnë ata që kërkojnë njerëzit e tyre në mënyrë që t’i identifikojmë më shpejtë. Deri tani janë me siguri të shpëtuar 201 grekë dhe po punohet për pastrimin dhe verifikimin e listave, pasi janë shumë emra të fshirë dhe të ndryshuar në të. Nuk kemi asnjë informim për pasagjerë të tjerë dhe si rrjedhoje nuk japim informacione të tilla. Nuk ka pasur asnjëherë ngjarje të tillë më parë. Kam kërkuar fillimin e hetimeve prej Prokurorisë së Përgjithshme”, deklaroi Varviciotis.

Ndërsa komandanti i Rojës Bregdetare tha: “Ishte e pamundur që të kryenim operacionin. Ishte tepër e vështirë. Kemi dërguar në Itali ekspertë. Shpresojmë që deri në darkë të kemi identifikuar gjithë personat e gjetur të pajetë në anije”. 

Top Channel