Prishtinë, ndalohen mjetet piroteknike në tri sheshet më të frekuentuara

28/12/2014 00:00

Me qëllimin për të ruajtur mjedisin dhe mbrojtur shëndetin e qytetarëve nga dëmet, që mund të shkaktojnë produktet piroteknike, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në datë 26.12.2014 ka marrë vendimin për “ndalimin e produkteve piroteknike në sheshet ‘Ibrahim Rugova’, ‘Nëna Terezë’ dhe ‘Zahir Pajaziti’”.

Bazuar mbi këtë vendim, ndalohet përdorimi i produkteve piroteknike prej datës 30 dhjetor 2014 deri në datën 3 janar 2015, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, pasi këto pjesë të kryeqytetit janë më të frekuentuarat, ndërsa mjetet piroteknike janë të dëmshme veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.

Kjo ndalesë vlen vetëm për hapësirën që gjendet brenda shesheve “Ibrahim Rugova”, “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”.

Ndaj personave që do të përdorin produkte piroteknike në hapësirën e tri shesheve do të vendoset gjobë në vlerën prej 100 euro nga inspektorët e Drejtorisë së Inspekcionit. Numrat e Inspektoratit, ku qytetarët mund të lajmërojnë për çfarëdo lloj parregullsie janë: 038 245 666 dhe 038 245 777.

Top Channel