Kosovë, bora shkakton probleme në qarkullimin rrugor

27/12/2014 00:00

Pavarësisht rënies së borës nga dita e djeshme, rrugët në Kosovë kanë qenë të kalueshme. Vështirësi në qarkullim janë paraqitur në dy rrugët në drejtim të vendkalimeve kufitare Pejë-Kullë dhe në Keçekollë-Mutivodë, por edhe në disa rrugë dytësore, si dhe në fshatra të komunave të ndryshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, numri i aksidenteve me dëme materiale është shtuar, por fatmirësisht nuk ka pasur aksidente me pasoja fatale. Në 24 orë janë regjistruar 26 aksidente me lëndime të lehta dhe 81 vetëm me dëme materiale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të vendosin pajisjet e tyre dimërore, ndërsa ka bërë të ditur se në sezonin dimëror të 2014 dhe në fillim të vitit 2015 do të ketë prezencë më të shtuar të policisë, kryesisht në rrugët më problematike, ku mund të paraqiten pengesa të qarkullimit në trafik.

Kelani tha se agjentët e patrullave do të jenë rigorozë ndaj të gjithë atyre që nuk i respektojnë dispozitat e komunikacionit rrugor dhe nuk posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore.

Top Channel