Aksidenti i turistëve shqiptarë, policia mbikëqyr vendngjarjen

27/12/2014 00:00

Ishin nisur për turizëm e duhej të ktheheshin të relaksuar prej andej, por autobusi me targë “AA 582 JX” nuk mbërriti në destinacion. Në urën e Merkotit, përgjatë aksit Tivar-Ulqin, automjeti doli nga rruga.

Drejtuesi i mjetit, Shkëlqim Çali tentoi ta mbante situatën nën kontroll për pothuajse 10 metra, por nuk ishte e mundur. Autobusi bashkë me 57 pasagjerët që ndodheshin në të përfundoi jashtë rruge.

Për pasojë, shtetasja Orena Kuca, e cila ishte ulur në sediljen e fundit humbi menjëherë jetën, ndërsa 31 pasagjerë të tjerë u plagosën.

Deri në orët e mesditës, në vendngjarje kanë qëndruar vetëm dy oficerë policie të cilët jo vetëm kanë ruajtur perimetrin përqark automjetit, por edhe kanë drejtuar mjetet e tjera që kanë kaluar andej.

Rreth orës 13 në vendin e aksidentit mbërriti një tjetër ekspert, i cili nisi verifkimet për të përcaktuar edhe njëherë se cilat ishin shkaqet e daljes së autobusit nga rruga.

Ndërkohë, në orën 14, aty është sjellë shoferi i autobusit, Shkëlqim Çali, i cili ka dhënë versionin e tij. Por policia vendase nuk ka lejuar mediat të filmojnë këtë moment, ashtu sikurse edhe çastin kur oficerët kanë hapur autobusin dhe kanë larguar prej andej sendet personale që do t’u dorëzohen të afërmve të pasagjerëve.

Megjithëse pasagjerët kanë dëshmuar se drejtuesi ka shmangur rrugën për të devijuar një makinë tjetër përballë, banorët e zonës dhe policia kanë deklaruar se në këtë pikë ndodhin shpesh aksidente.

Kjo, pasi rruga është tepër e ngushtë dhe mjaft drejtues të mjeteve të rënda që duhet të kalonin në aksin nacional Tivar-Ulqin zgjedhin për t’i rënë shkurt këtë linjë, e cila është e papërshtatshme.

Në Malin e Zi është mbajtur vetëm një femër e plagosur rëndë për t’u trajtuar më tej. Të plagosurit e tjerë janë përcjellë me autoambulanca drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Top Channel