Makina me eksploziv, policia dyshon për sulm terrorist

26/12/2014 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, në një konferencë të posaçme për shtyp ka zbardhur detajet e kapjes së shtetasit serb me lëndë plasëse në Prishtinë mbrëmjen e së enjtes.

Hyseni tha se, Policia e Kosovës ka pasur informata se gjatë festave të fundvitit mund të ketë përpjekje për ndonjë sulm dhe agjentët kanë qenë duke e ndjekur të dyshuarin.

Ndërkohë, Top Channel ka mësuar se një ndër ndalesat e këtij personi në Prishtinë ka qenë hoteli “Grand”, në qendër të kyeqytetit, ku Slobodan Gavriç ka qëndruar për disa orë më datë 24 dhjetor. Sipas ministrt, hyrja e shtetasit serb është bërë në pikëkalimet zyrtare Kosovë-Serbi.

E teksa u tregua i përmbajtur në deklarata, Hyseni tha se sasia e eksplozivit prej rreth 12 kg ishte tmerrësisht rrënuese dhe po të kryhej sulmi, pasojat do të kishin qenë të mëdha.

“Njësitet policore kanë kontrolluar të dyshuarin dhe veturën e tij dhe kanë gjetur 12 kg e 219 gramë materie eksplozive të përpunuar dhe të mbështjellë. Nga hetimet e para dhe materia e gjetur, dyshohet se ai ka pasur qëllim të qartë të kryerjes së një sulmi të mundshëm terrorist. Bëhet fjalë për një masë eksplozive tmerrësisht rrënuese dhe pasojat do të ishin të mëdha po qe se ky akt do të kryhej”, deklaroi Hyseni.

Mësohet se i dyshuari Slobodan Gavriç ka lindur në vitin 1968 dhe është banor i Beogradit. Pasi e kanë ndjekur gjatë gjithë kohës, siç bëhet e ditur, ai është ndaluar nga Policia e Kosovës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku gjatë kontrollit në makinën “Renault Clio” njësitet policore kanë gjetur eksplozivin.

I pyetur nga Top Channel nëse sulmi i mundshëm kishte të bënte me vizitën në Kosovë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ministri Hyseni tha se nuk mund të dalin me konkluzione të parakohshme.

“Unë jam në dijeni të informacioneve të kësaj natyre në media, por ju ftoj të mos kërkoni nga unë apo nga policia të biem në përfundime të parakohshme”, nënvizoi Hyseni.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka pasur komunikim zyrtar me autoritetet serbe lidhur me rastin. Zbardhja e këtij rasti sipas ministrit Hyseni, është jetike për Kosovën.

Nga ana tjetër, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përgëzuar policinë për profesionalizmin dhe punën e saj, që çoi në shmangien e këtij sulmi terrorist.

Në një takimi me kryeministrin Isa Mustafa dhe krerët e institucioneve të sigurisë, Jahjaga ka kërkuar që të shtohet siguria e përgjithshme në vend.

Presidentja u ka bërë thirrje edhe shteteve të rajonit për bashkëpunim në zbardhjen e rrethanave, duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist.

Ndërkohë, edhe qeveria e Kosovës e dënoi aktin duke siguruar qytetarët e saj se do të bëjë gjithçka, në çdo moment për të siguruar jetën e qytetarëve të saj dhe garantimin e sigurisë së vendit.

Top Channel