Kosovë, falen gjakrat, shtrihet dora e pajtimit

25/12/2014 00:00

Pas 10 vitesh, dy familje në Kosovë falin gjakun. Familja Lami nga Kaçaniku i ka shtrirë dorën e pajtimit familjes Fana, e cila ka pranuar të falë gjakun e të birit. Burrat e dy familjeve, por edhe shumë pjesëmarrës të tjerë, u mblodhën në shkollën e fshatit Sllatinë e Ulët.

Familja Fana shpreson që rastet e gjakmarrjes të mos përsëriten më në Kosovë.

“Unë i përshëndes të gjithë që morën pjesë. Porosia e fundit e jona është që ky të jetë rasti i fundit i kësaj natyre në Kosovë. Zoti i shpërbleftë të gjithë që kanë kontribuar për këtë rast”, shprehet Asllan Fana, familjar i të vrarit.

Ky akt, i vlerësuar si shumë i rëndësishëm dhe shembull për raste të tjera, u ndërmjetësua nga Imami i fshatit Duraj të Kaçanikut, Fidaim Fazliu, i cili vetëm brenda këtij viti ndërmjetësoi 9 raste të ngjashme.

“Falënderoj të dyja këto familje, që treguan një burrëri. Ata nderuan veten, familjen, kombin, fenë dhe shtrinë dorën e pajtimit. Mesazhi im që buron nga zemra është se i dëshiroj këtij populli, nënave, vëllezërve, prindërve dhe bashkëshortëve, por edhe fëmijëve, t’u ndalen lotët njëherë e përgjithmonë dhe të mos ketë më akte të vëllavrasjes. Mirëpo nëse ndodhin dhe nëse ka edhe të tjera, dhe jam i bindur që ka edhe të tjera, ta hapin zemrën, të marrin shembull familjen Fana dhe t’ia shtrijnë dorën e pajtimit familjes tjetër, sepse me pajtimin nuk nënvlerësohesh, nuk nënçmohesh e aq më tepër të të humbasë burrëria”, deklaroi Imami i Durajt.

Burrave të pranishëm nga të dyja familjet iu drejtuan përfaqësues të të dy komunave, të cilët vlerësuan lartë një akt të tillë, duke bërë thirrje që edhe familje të tjera me konflikte të ngjashme të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Të pranishëm në shkollën e fshatit, ku ndodhi pajtimi, ishin edhe përfaqësues të gjykatava, pjesëtarë të Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës etj.

Historia e konfliktit mes familjeve Fana dhe Lami nisi në vitin 2004. Besfort Fana, tre muaj pas kurorëzimit me Mexhide Lamin, vendos t’i japë fund martesës, me arsyetimin se nuk e donte më vajzën me të cilën ishte martuar.

Vendimi për përfundimin e martesës rezultoi fatal për Besfortin. Zemërimi i gruas së braktisur nga ai shkoi deri në atë pikë, kur kjo e fundit më 3 shtator 2004 qëlloi me armë zjarri duke e lënë të vrarë Besfortin para qendrës emergjente në Ferizaj.

Mexhide Lami u arrestua dhe u dënua për vrasje me 12 vite burg. Por, përveç dënimit që ajo vazhdon ta vuajë, u ngujua gjithë familja e saj si pasojë e gjakmarrjes. 10 vite pas tragjedisë që pësoi familja Fana, këtij konflikti i erdhi fundi këtë dhjetor, pasi Beqir Fana, babai i Besfortit, vendosi të shtrijë dorën e pajtimit. Ai i fali gjakun e djalit familjes Lami.

Top Channel