Vrasja në Sharrë, arrestohet autori 25-vjeçar

24/12/2014 00:00

Policia e Tiranës ka bërë të mundur gjatë së mërkurës arrestimin e autorit të vrasjes së një dite më parë në varrezat e Sharrës, 25-vjeçarit Ergert Tafa, atje ku konflikti për hapjen e një varri u shndërrua në një tragjedi të vërtetë, duke i marrë jetën punonjësit të varrezave, 38-vjeçarit Altin Çullhaj.

Ngjarja u regjistrua orët e pasdites së të martës, teksa Çullhaj ka qenë duke hapur një varr. Sipas policisë, në ato momente Ergert Tafa, 25 vjeç, banor i zonës, nisi konfliktin verbal me 38-vjeçarin lidhur me afërsinë e varrit me murin rrethues të banesës së tij.

Debati mes dy personave degjeneroi deri sa Ergert Tafa mori një armë dhe qëlloi disa herë në drejtim të punonjësit të varrezave, e më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Çullhaj u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Ndërkaq, Policia e Tiranës pas mbledhjes së dëshmive të personave të pranishëm në vendngjarje, ka nisur kërkimet për  arrestimin e autorit të ngjarjes, 25-vjeçarit Eriglend Tafa.

Top Channel