Thaçi: De fakto, Serbia e ka njohur Kosovën

23/12/2014 00:00

Hashim Thaçi, tashmë ministër i Jashtëm i Kosovës, ka shprehur bindjen se së shpejti bisedimet e ndërmjetësuara nga BE me Serbinë do të kurorëzohen me njohjen reciproke të shtetit të Kosovës.

Në një intervistë për gazetën vieneze “Die Presee”, Thaçi ka vënë në dukje se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ka hyrë në një fazë të re, që gradualisht do të mbyllet me njohjen e pavarësisë.

“Një javë më parë për shembull, ministri kosovar i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm ishin për një vizitë fare normale në Beograd. Nga ana tjetër edhe marrëveshja e Brukselit do të zbatohet, pavarësisht se për momentin Serbia heziton. Por dita e njohjes reciproke do të vijë së shpejti dhe do të ndodhë gjatë procesit të përafrimit me BE-në. Lidershipi politik i Serbisë është i vetëdijshëm për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

I pyetur nëse kjo mund të konsiderohet një njohje “de fakto”, shefi i diplomacisë kosovare është përgjigjur: “De fakto Kosova është njohur nga Serbia”.

Gjatë intervistës Thaçi është shprehur optimist se edhe kryeministri Vuçiç do të vijojë me të njëjtën frymë pozitive në dialogun dypalësh, të nisur mes tij dhe Ivica Daçiç nën ndërmjetësimin e BE.

“Disa javë më parë kam takuar atë në Nju Jork, pa ndërmjetësimin ndërkombëtar. Diskutuam axhendën tonë të ardhshme. Unë shoh tek ai një vullnet të mirë për të vazhduar tutje”, ka thënë Thaçi, për të shtuar se nuk druhet nga retorikat nacionaliste të Vuçiç.

“Ne jemi të gjithë liderë politikë dhe në fjalimet tona natyrisht që ka mesazhe për votuesit dhe Vuçiç këtu nuk bën përjashtim. Por ne kemi arritur Marrëveshjen e Brukselit për paqe në rajonin tonë dhe një pretendim për t’u kthyer në të kaluarën nuk mund të ndodhë”, ka shtuar Thaçi.

Top Channel