Kosovë, AAK nis reformimin e brendshëm

23/12/2014 00:00

Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur reformat e brendshme, të paralajmëruara më herët gjatë muajit nga kryetari Ramush Haradinaj, pas dështimit të këtij subjekti për të ardhur në pushtet.

Sipas një njoftimi për shtyp, kryesia e AAK-së është mbledhur paraditen e së martës për të diskutuar mbi zhvillimet e brendshme dhe ka votuar pro themelimit të disa grupeve të punës, që do të veprojnë në kuadër të këtij procesi reformimi.

Në njoftimin për shtyp nënvizohet se anëtarët e kryesisë e kanë vlerësuar reformën e brendshme të domosdoshme për forcimin e rolit opozitar të AAK-së në jetën parlamentare të Kosovës.

Dokumenti zyrtar lë të kuptohet se partia e Haradinajt nuk e sheh si problematikë largimin e tre anëtarëve të saj në Kaçanik, por përkundrazi e cilëson atë si pjesë të “pastrimit” të radhëve të saj.

“Në kuadër të procesit të reformimit të brendshëm, AAK e cilëson pozitiv dhe pjesë të pastrimit të paralajmëruar largimin nga partia të tre anëtarëve të saj në Kaçanik”, thuhet në komunikatë.

Në të saktësohet më tej se reformimi do të përfshijë të gjitha strukturat e partisë, nga ato në terren deri tek nivelet lokale e në atë qendror. “Kushdo që nuk ndihet pjesë e Aleancës, është mirë që  të largohet që tani”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel