Ekzekutimet në Selitë, me paramendim

23/12/2014 00:00

Ekzekutimi i dy të rinjve në Selitë të Tiranës vazhdon të jetë i mbuluar
nga hije dyshimi, pas disa veprimeve të autorit Flamur Ymeri.

Ky i fundit ka bërë disa telefonata para dhe pas vrasjes, ku i dërgonte mesazhe avokatit të tij, ku e informonte se dikush i kishte hyrë në banesë për ta vrarë. Më pas, e ka marrë në telefon dhe i ka treguar versionin e ngjarjes, por, me këshillimet e avokatit, Ymeri ka hedhur armët e krimit.

Sipas prokurorisë, një nga armët me të cilat janë qëlluar Ervin Shaba dhe Adnan Luli nuk gjendet, ndërsa autori pretendon se ka pasur edhe dy pistoleta, por i ka hedhur në oborr! Gjatë kontrolleve, këto armë janë zhdukur, teksa ngjarja sërish po mbetet e mistershme, pasi deri më tani, prokuroria nuk ka një version të plotë se çfarë ndodhi në banesën e Ymerit më 18 dhjetor. Madje, edhe policia ka pasur shumë dyshime, pasi fillimisht ngjarja është hetuar si vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave. Më pas, prokuroria ndryshoi akuzën dhe vendosi ndaj autorit akuzën e vrasjes në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme. Me këtë akuzë, Ymeri mund të dënohet nga gjobë deri në shtatë vite burg, pasi edhe armët e zjarrit nuk i janë gjetur në banesë. Por, së fundmi, prokuroria thotë se ngjarja mund të shkojë deri te vrasja me paramendim.

Në aktakuzën e parë, që ka shkuar në gjykatë, akuza ka pranuar se disa veprime të Flamur Ymerit, paraditen e 18 dhjetorit, kanë qenë të paramenduara. Madje, ai ka bërë shumë veprime dyshuese, teksa së fundmi po merren në pyetje edhe familjarët e viktimave. Ky procedim penal, për prokurorinë, ka ngritur shumë pikëpyetje, teksa të gjitha dyshimet mund të jenë në favor të të arrestuarit. Nëse akuza ka hamendësime dhe jo prova, Ymeri përfiton, pasi ligji ia lejon diçka të tillë. Tashmë, grupi hetimor po mbledh fakte të reja për ngjarjen, duke qenë se rrëfimet e Ymerit dhe të bashkëshortes së tij janë marrë me rezerva. Akuza po mundohet që të marrë ndonjë provë nga familjarët e viktimave, të cilët mund të tregojnë ndonjë fakt interesant, çka do të vërtetonte edhe pistën e vrasjes me paramendim.

Mjekoligjorët dyshojnë gjithashtu se në kapuçat që mbanin në kokë viktimat nuk kishte shenja plumbi, çka mund të provojë se Ymeri, i ndihmuar nga një person me njohuri të mira në fushën penale, mund të ketë prishur provat në vendngjarje. Misteri i pistoletës, i gjurmëve të munguara të gjakut në mure, apo edhe i kapuçave, i ka detyruar hetuesit të ndryshojnë edhe veprën penale ndaj Ymerit, duke e hetuar për vrasje me paramendim.

Prokuroria, në kërkesën për masë sigurie ndaj Ymerit, tha se në katin e dytë të banesës dhe pikërisht në derën e hyrjes së dhomës së gjumit ndodhej i shtrirë në dysheme, trupi i pajetë i një personi dhe pranë tij një pellg me ngjyrë të kuqe, si ajo e gjakut. Pranë këtij personi ndodheshin dy armë zjarri, njëra ishte e markës “Broëing” dhe një armë tjetër automatike, e kalibrit 7.65 me silenciator. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes vërehet se brenda në dhomën e gjumit, në anën lindore gjendet një kufomë tjetër, e shtrirë mbi krahun e djathtë. Nga këqyrja e kufomës së shtetasit Adnan Luli, vërehen plagë të shumta në trup e në kokë, të cilat janë shkaktuar nga armë zjarri. Nga trupi i tij u nxorën dhe u sekuestruan dy predha metalike, gjithashtu dhe në kufomën e shtetasit Ervin Shaba u vërejtën shumë dëmtime në kokë dhe trup. Nga trupi i tij u nxorën dhe u sekuestruan tre predha metalike si ato të armëve të zjarrit. Akuza thotë se nga këqyrja e telefonit rezulton se Ymeri, në orën 08:26, ka dërguar një SMS te numri i telefonit të regjistruar me emrin B… me tekst “Jam Flamur Ymeri, po më vrasin në shtëpi te centrali”, dhe në orën 08:28 i ka dërguar përsëri SMS këtij numri me tekst “lajmëro shpejt B…”. I akuzuari ka thënë se ditën e ngjarjes, rreth orës 08:30 ka qenë duke fjetur dhe në një moment ka dëgjuar se ka pasur zhurma në katin e parë të banesës. Kur u afrua te dera që të çon në katin e parë, ka dëgjuar bashkëshorten e tij që po thërriste, duke thënë fjalët “mos më bëj keq, të lutem” dhe dikë tjetër, që i është përgjigjur na trego ku është kasaforta. Më pas, njëri nga personat është ngjitur në katin e dytë dhe ka filluar të kontrollojë në dhomën e gjumit. Pas tij, lart është ngjitur dhe personi tjetër, duke kërcënuar me armë bashkëshorten e tij, që t’i tregonte vendin se ku i mbanin paratë. Ymeri sqaron se ka tentuar t’i dërgojë SMS numrit 129, pasi në telefon nuk fliste dot, por nuk ka arritur. Më pas ka shkruar sërish një SMS dhe ia ka dërguar shokut të tij me pseudonimin B… që duhet të lajmëronte policinë. Në një moment ai ka dalë nga dhoma dhe është përleshur me shtetasin, i cili i kishte drejtuar armën bashkëshortes së tij, dhe pasi i ka marrë armën këtij, ia ka drejtuar, duke i thënë që të mos lëvizë, por arma ka shkrepur dhe ky shtetas është rrëzuar në tokë! Më pas i ka drejtuar armën personit tjetër që ishte brenda në dhomë, duke i thënë që të hiqte kapuçin, por ky shtetas nuk ka pranuar dhe ka tentuar të ngrejë dorën dhe në atë kohë Flamuri e ka qëlluar dhe ai ka qëndruar pa lëvizur. Flamuri sqaron se i ka marrë armën nga dora shtetasit tjetër dhe ka tentuar ta qëllojë, por ajo armë nuk ka shkrepur. Nga ky moment, shtetasi nën hetim sqaron se nga frika se mos e qëllonte ndonjëri nga këta shtetas, me ndonjë armë të fshehur në trup, i ka qëlluar disa herë, teksa qëndronin të shtrirë.

Top Channel