Kosovë, biznesi kërkon lehtësi fiskale

22/12/2014 00:00

Përfaqësuesit e botës së biznesit në Kosovë i kanë bërë thirrje qeverisë që të përshpejtojë realizimin e reformave për krijimin e një klime më të favorshme biznesi, duke parë situatën e vështirë që është aktualisht.

Apeli është bërë në përfundim të një takimi të mbajtur këtë të hënë mes kryetarëve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane, Safet Gërxhaliu dhe Arian Zeka.

Sipas një njoftimi për shtyp, Gërxhaliu dhe Zeka gjatë takimit kanë shprehur shqetësimin mbi situatën e vështirë dhe mungesën e konkurrencës në radhët e biznesit vendas.

“Një gjë e tillë, përveç se pamundëson rritjen e punësimit, ka shkaktuar një defiçit tregtar tejet të lartë, duke e shndërruar vendin në eksportues të parasë së gatshme”, janë shprehur njëzëri dy kryetarët.

Duke pasur parasysh këtë, ata i kanë bërë thirrje Ministrisë së Financave që në një periudhë sa më të shpejtë të nisë ndryshimet e duhura ligjore për të jetësuar vendimet për krijimin e lehtësirave fiskale, përfshirë heqjen e taksave për investitorët e jashtëm apo vendas, që krijojnë vende të reja pune.

Gjithashtu, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kanë kërkuar që të bëhet zgjerimi i mëtejshëm i listës së produkteve të çliruara nga detyrimet doganore.

Top Channel