Kosovë, biblioteka e Prizrenit mbush 70-vjeç

22/12/2014 00:00

Është shënuar këtë të hënë 70-vjetori i funksionimit të Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit. Drejtoresha e këtij institucioni, Sahadete Sadikaj-Kukaj tha se përkundër sfidave të ndryshme, me mjaft sukses po përmbyllet edhe dekada e shtatë e funksionimit.

Para të pranishëmve foli edhe kryetari i komunës, Ramadan Muja, i cili tha se Komuna është vonuar në realizimin e projektit për një ndërtesë të re të bibliotekës, por shprehu besimin se ky projekt do të përmbushë synimet që Prizreni, përveç epitetit të qytetit universitar, të ketë një bibliotekë bashkëkohore.

Pas fjalimeve është bërë promovimi i librit “Nga gjerdani kombëtar” me poezi nga 70 shkrimtarë nga të gjitha trojet shqiptare. Gjithashtu është hapur edhe ekspozita e librave që janë bërë pjesë e Bibliotekës gjatë vitit 2014, si dhe ka qenë e hapur ajo e fotografive të vjetra të qytetit të Prizrenit.

Të pranishëm ishin krijues letrarë, zyrtarë të ambasadave të huaja në vend, përfaqësues të bibliotekave nga hapësirat mbarëshqiptare e qytetarë të shumtë.

Top Channel