Fier, pranga ish-zyrtarëve të Pyjores, lejuan ndërtime në pyllin e Semanit

21/12/2014 00:00

Gjykata e Fierit dha arrest me burg për tetë ish-zyrtarë të Drejtorisë Pyjore në këtë rreth, pas kërkesës së Prokurorisë. Nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pas vendimit gjyqësor, policia arrestoi ish-drejtorin Shkëlqim Jaupaj dhe shtatë ish-inspektorë në varësi të tij.

Të tetë personat, nga hetimet dyshohen se lejuan ngritjen e një numri të madh lokalesh në pyllin e Semanit, me struktura betoni duke shfrytëzuar hapësira publike ku është kategorikisht e ndaluar për ndërtime të tilla.

Në vitin 2007, disa subjekte morën leje të përkohshme vetëm për sezonin turistik nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor për ushtrimin e aktivitetit ambulant me rulotë. Shërbimi Pyjor duhet të ushtronte kontroll mbi ta nëse ishte respektuar apo jo leja, por pronarët e këtyre rulotëve nuk e kishin respektuar lejen provizore, duke ndërtuar lokale me godina prej betoni në hapësira më të mëdha. E gjendur në këto kushte, Drejtoria e Pyjores dorëzoi vetëkallëzim penal në Prokurori në vitin 2012 për “ndërtim të paligjshëm” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”.

Por, të dyja këto akuza ranë poshtë pas amnistisë së bërë prej Parlamentit po në atë vit. Dyshimet ngrihen se duke qenë se ishin në dijeni të amnistisë u bë një kallëzim formal ndaj tyre. Prokuroria vazhdoi hetimet nga ku rezultoi se ish-zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor nuk ushtruan me dashje përgjegjësitë e tyre, duke lejuar në këtë mënyrë ndërtime abuzive, duke zënë sipërfaqe të pyllit dhe duke shkatuar dëm ekonomik dhe ekologjik.

Prokuroria përmend në akuzën e saj humbje dhe fragmentim të habitatit, humbje të drejtpërdrejtë të specieve, tranzitim dhe zhvendosje të specieve. Sipas Prokurorisë, dëmi në pyll do të kërkojë të pakten 80 vjet për t’u ripërtëritur.

Te arrestuar                 Funksioni

Shkëlqim Jaupaj         ish-Drejtor i Shërbimit Pyjor
Nikollaq Zizi             ish-Shef i Policisë Pyjore
Ervin Nuredini             ish-Shef i Policisë Pyjore
Agur Vrenozi             ish-inspektor i Shërbimit Pyjor
Rahim Lushaku             ish-inspektor i Shërbimit Pyjor
Aleksandër Dhima        ish-inspektorn i Shërbimit Pyjor
Astrit Kajolli             ish-inspektor i Shërbimit Pyjor
Fredi Merkaj             ish-shef i zonave të mbrojtura në Shërbimit Pyjor

Top Channel