Shkodër, ekzekutohen në mes të rrugës dy persona

20/12/2014 00:00

Dy persona janë vrarë me armë zjarri dhe një tjetër është plagosur rëndë mesditën e së shtunës në lagjen Dudas të qytetit të Shkodrës.

Viktimat janë personat e njohur nga dëshmitarët si Edmond Batra 40 vjeç dhe Edmir Alia 37, ndërsa i plagosur ka mbetur nipi i këtij të fundit, 20-vjeçari Amarildo Pirana.

Për momentin janë ende enigmë autorët dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se dy viktimat dhe i plagosuri po qëndronin në këmbë pranë rrugës kryesore, në afërsi të një lavazhi, kur fare pranë tyre është afruar një motor sportiv në të cilin udhëtonin dy persona me skafandra.

Një prej tyre ka zbritur nga motori dhe ka hapur zjarr me një armë automatike, duke lënë të vdekur në vend Edmond Batrën, ndërsa shtetasi Edmir Alia ka ndërruar jetë pak momente më vonë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Personi i tretë që ndodhej me dy viktimat, Amarildo Pirana ka marrë plagë të rënda por që nuk përbëjnë rrezik për jetën. Policia ka shoqëruar punonjësit e lavazhit dhe ata të pikës së karburantit ku ka ndodhur krimi për të mësuar më shumë mbi ngjarjen.

Ndërkohë që në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 20 gëzhoja automatiku. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se viktimat janë persona të njohur për policinë, pasi kanë preçedentë penalë dhe hetimet janë përqendruar në dy pista.

E para dhe më e mundshmja është ajo e një ekzekutimi të organizuar ku shënjestër mund të ketë qenë njëri nga dy viktimat dhe pista e dytë është ajo që mes dy viktimave mund të ketë pasur shkëmbim zjarri.

Top Channel