Në burg vrasësi i dy “grabitësve”. Prokuroria, 30 ditë kohë për të përgatitur dosjen

20/12/2014 00:00

Gjykata i la 30 ditë kohë prokurorisë që të plotësojë aktet e dosjes hetimore ndaj shtetasit Flamur Ymeri, ndaj të cilit rëndon akuzat e “vrasjes në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme” të Adnan Lulit dhe Ervin Shabës dhe e “armembjatje pa leje”.

Derisa prokuroria të marrë provat që do duhet t’i krijojnë bindjen e plotë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në vilën e Flamur Ymerit, ai do të qëndrojë në burg për 30 ditë, sipas masës së arrestit.

Në fakt, edhe prokurori i çështjes kërkoi 30 ditë burg për të dalë me një konkluzion më të qartë mbi dinamikën e kryerjes së krimit të dyfishtë dhe për t’iu dhënë përgjigje me prova disa pyetjeve që kanë dalë pas mbikëqyrjes së vendit të ngjarjes, sikurse gjetja e një predhe që nuk përputhet me armët e sekuestruara në banesë.

Avokati nga ana e tij këmbëngul në pavlefshmëri të akteve pasi sipas tij, klienti Ymeri nuk ka konsumuar asnjë vepër penale pasi i është sulmuar banesa dhe i është rrezikuar jeta.

“Nuk kemi vepër penale. Kemi një institut të mbrojtjes së nevojshme të parashikuar nga neni 19 i Kodit Penal, që përjashton nga përgjegjësia penale personat që janë para një sulmi direkt dhe janë të detyruar të mbrojnë njerëzit dhe pasurinë. Në rastin konkret, neni 37 pika 1 e Kushtetutës thotë: paprekshmëria e banesës garantohet nga ligji”, deklaroi avokati Saimir Vishaj.

Por cili është shpjegimi i avokait Vishaj për konstatimin e një predhe që nuk rezulton paraprakisht të jetë nxjerrë nga asnjëra prej armëve të gjetura në vendngjarje?

“Ajo që prokuroria kërkoi sot, një afat 30-ditor, tregon se është herët për të folur për provat dhe faktet”, iu përgjigj Vishaj interesit të mediave.

Aktualisht prokuroria pret të administrojë një përgjigje më të qartë nga ekspertët e balistikës, nëse dy viktimat Adnan Luli dhe Ervin Shaba janë qëlluar nga afër apo nga një distancë e caktuar.

Gjithashtu, pritet të zbulohet cila është ora e përafërt e vdekjes së tyre, a ka pasur më parë komunikim telefonik mes të zotit të banesës së sulmuar dhe dy viktimave dhe, ç’është më e rëndësishmja, ku është arma prej nga ka dalë njëri nga plumbat.

Deri sa të vijnë këto përgjigje, organit të akuzës do t’i duhet të ballafaqojë edhe me rrëfimin e Flamur Ymerit me atë të familjarëve të tij të cilët japin versionin e sulmit nga dy grabitës të maskuar.

Top Channel