Kosovë, sherr për zv.ministrat dhe këshilltarët

20/12/2014 00:00

Partitë e koalicionit qeveritar në Kosovë, PDK dhe LDK kanë probleme të brendshme partiake rreth emrave të zëvendësministrave por edhe të këshilltarëve politikë.

Sipas marrëveshjes së koalicionit, PDK dhe LDK do të kenë 38 zëvendësministra për 19 ministri, ndërsa po ashtu ata do të emërojnë edhe 126 këshilltarë politikë, për secilin ministër, që u bie nga gjashtë.

Për shkak të pakënaqësive të strukturave partiake rreth emërimeve, degët e dy partive më të mëdha në vend po kërkojnë përfaqësim në postet ende vakante.

Burime të Top Channel brenda LDK-së kanë bërë të ditur se gjendja është vështirësuar edhe më shumë kur Kryesia e partisë ka vendosur që këshilltarët e ministrave të propozohen nga partia e jo të zgjidhen nga ministrat.

Në PDK dhe LDK askush nuk pranon të flasë para kamerës për moskompletimin e kabinetit qeveritar, ndërsa në kushte anonime tregojnë se ka probleme për të qetësuar të pakënaqurit.

Në PDK thonë se pas kthimit të Hashim Thaçit nga Brukseli, brenda javës pritet të përfundojë lista e zëvendësministrave, ndërsa këshilltarët politikë, që normalisht i marrin ministrat, duhet të jenë funksionarë të partisë më të madhe.

Në partinë e Isa Mustafës, e cila prej disa vitesh ka qenë e papërfaqësuar në qeverisje, problemet janë më të mëdha pasi numri i zyrtarëve partiakë që duan të futen në qeveri është mjaft i madh.

Një anëtar i kryesisë së LDK-së ka thënë se ministrat e kësaj partie, nga gjashtë këshilltarë sa u takojnë, dy mund t’i përzgjedhin vetë, ndërsa katër të tjerë do t’ua caktojë partia.

Sipas këtij zyrtari, këshilltarët politikë do të jenë kryesisht anëtarë të degëve të LDK-së që nuk kanë marrë poste ministrore. Por nuk do të jenë vetëm postet politike në ekzekutiv ku dy partitë e koalicionit do të sistemojnë zyrtarët e tyre partiakë.

Sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje ata në ditët në vijim do të ndajnë edhe postet e mbetura bosh në të gjitha bordet e agjencive të pavarura të Kuvendit, si dhe bordet e kompanive publike.

Top Channel