Takimi Thaçi-Hahn, Brukseli përshëndet krijimin e qeverisë së re

19/12/2014 00:00

Formimi i qeverisë javën e kaluar shënon fundin e ngërçit politik 6 mujor në Kosovë, sipas komisionerit Johannes Hahn. Pas takimit me zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Integrimit Collaku, komisioneri për Fqinjësi Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit shpjegoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes me Serbinë si dhe numëroi shqetësimet e Brukselit ndaj Prishtinës.

“Sundimi i ligjit vijon të jetë një prioritet dhe Kosova ka dëshmuar angazhim të qartë për të dhënë rezultate në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Sidoqoftë, nevoja për freskimin e angazhimit mbi reformat shkon përtej sundimit të ligjit. Vitin e ardhshëm Kosova duhet të dorëzojë gjerësisht mbi agjendën e reformave në fusha kyçe të reformës zgjedhore, ekonomike dhe të administratës publike”, deklaroi zoti Hahn.

Ndërsa pritet nënshkrimi i MSA-së me vendet e BE-së, qeveria e Kosovës u angazhua për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes së prillit me Beogradin dhe për vazhdimin e dialogut të nivelit të lartë në pjesën e dytë të janarit, siç u shpreh Thaçi, duke theksuar rëndësinë e heqjes së vizave për Kosovarët: “Liberalizimi i vizave do të jetë prioritet kyç për qeverinë e Kosovës dhe ne do të përmbushim të gjitha kriteret e procesit.”

“Përsa i takon vizave, ka disa procedura të parashikuara, sipas nesh, për të bërë rregullimet e duhura dhe kjo, pak a shumë, nuk varet nga ndikimet nga jashtë, por ka të bëjë gjithashtu me zbatimin e suksesshëm të disa masave, që duhen treguar e dëshmuar”, theksoi Hahn.

Ndërsa Besim Collaku, ministër për Integrimin Europian, tha: “Kosova është në fazën përfundimtare të të gjitha detyrimeve që dalin nda udhërrëfyesi i vizave dhe me plot të drejtë presim që fundi i vitit të ardhshëm të sjellë rezultate konkrete në këtë drejtim, çka përfaqëson një gjë të jashtëzakonshme për popullin e Kosovës, i cili njësoj si popujt e tjerë të rajonit do të jetë në gjëndje të lëvizë lirshëm dhe pa viza në shtetet e BE-së.”

Përveç zbatimit të udhërrëfyesit, ndaj autoriteteve kërkohet dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për shkak të shqetësimit në disa shtete anëtare për mijëra azilkërkues nga ky vend.

Kosovarët janë të vetmit banorë të izoluar në rajon, pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjen (2010), Serbinë, Maqedoninë e Malin e Zi (2009).   

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel