Mustafa-Vuçiç bëhen gati të rinisin dialogun

19/12/2014 00:00

Kosova dhe Serbia do të rinisin bisedimet e nivelit politik në fillim të vitit të ardhshëm. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiç pritet që të takohen në gjysmën e parë të janarit në Bruksel, për t’u njohur me përparimin e arritur deri në këtë fazë nga paraardhësit e tyre Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

Për takimin e kryeministrave Mustafa e Vuçiq në Bruksel kanë nisur të bëhen përgatitjet e duhura. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në kryeqytetin belg ka rikonfirmuar gatishmërinë e qeverisë së Prishtinës për të vazhduar dialogun politik.

Për aranzhimin e takimit është kujdesur edhe ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri, e cila për rezultatet e tij ka njoftuar kreun e qeverisë Isa Mustafa gjatë mbledhjes së ekzekutivit.

“Kam diskutuar për fazën vijuese të dialogut dhe mund t’ju informoj se po bëhen përgatitje intensive për takimin e radhës të dialogut në nivelin e lartë politik, pra në nivelin e kryeministrave dhe Përfaqësueses së Lartë, zonjës Mogherini. Takimi pritet të mbahet gjatë janarit, diku rreth mesit të muaji”, ka deklaruar Tahiri.

Ministrja Tahiri po ashtu e ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për pjesën teknike të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka treguar se në takimin e fundit kanë diskutuar me serbët për problemet e marrëveshjes për energjinë.

Kjo pasi, komuna e Zubin Potokut që ndodhet në veri të vendit, në kundërshtim me ligjet e Kosovës ka themeluar një kompani publike për faturimin e energjisë në komunat e veriut të vendit.

Tahiri ka thënë se me palën serbe janë pajtuar që ata të inkurajojnë themelimin e një kompanie faturuese për veriun, por që ajo duhet të regjistrohet në Prishtinë. Kjo kompani do të ketë për detyrë që të faturojë pas 15 viteve pa paguar energjinë e shpenzuar nga serbët në veri të Kosovës.

Top Channel