Kosovë, lirohen anëtarët e Grupit të Drenicës

19/12/2014 00:00

Gjykata Themelore në Mitrovicë, e përbërë nga pjesëtarë të EULEX-it, ka liruar nga paraburgimi pjesëtarët e UÇK-së të njohur si Grupi i Drenicës.

Mes të liruarve janë edhe ish-komandantët Sylejman Selimi dhe kryetari i Komunës së Skënderaj, Sami Lushtaku. Arianit Koçi, avokat i Sami Lushtakut, ka konfirmuar për Top Channel se vendimi për lirimin e klientit të tij është marrë të premten pasdite dhe se ai nuk përfshin ndonjë masë zëvendësuese.

Edhe avokati tjetër Tomë Gashi, që ka mbrojtur ish-pjesëtarët e UÇK-së e ka konfirmuar lirimin e tyre nga paraburgimi.

Sipas një njoftimi që avokati Gashi ka postuar në Facebook, Gjykata ka vendosur që të lirojë nga paraburgimi edhe pjesëtarët e tjerë të Grupit të Drenicës: Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaçin.

Gashi ka thënë për Top Channel se vendimi në këtë kohë erdhi pasi gjykata ka mbaruar marrjen në pyetje të dëshmitarëve të prokurorisë, ndërsa në vazhdim të gjykimit në janar dhe shkurt do të merren në pyetje vetëm dëshmitarët e mbrojtur. Sipas tij, gjykata me këtë rast ka vendosur se lirimi i tyre nuk paraqet më rrezik.

Të dyshuarit e Grupit të Drenicës akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile, që supozohet se kanë ndodhur në burgun e Likovcit gjatë verës së vitit 1998.

Për të akuzuarit e këtij rasti që janë liruar nga paraburgimi, procesi gjyqësor pritet të vazhdojë gjatë muajve janar dhe shkurt të vitit të ardhshëm.

Top Channel