Kosovë, Kuvendi miraton komisionet parlamentare

18/12/2014 00:00

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten paradite formimin e komisioneve parlamentare për legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e qershorit.

Në këtë mandat Kuvendi i Kosovës do të ketë 14 komisione parlamentare, prej të cilave dhjetë do t’i kryesojë mazhoranca dhe katër opozita.

Pro miratimit komisioneve votuan 81 deputetë, apo dy e treta e tyre. 28 të tjerë, nga radhët e opozitës, votuan kundër, ndërsa njëri abstenoi për shkak se nuk ishte përfshirë në asnjë komision.

Edhe në këtë seancë pati pakënaqësi rreth formës së ndarjes së komisioneve, si dhe për mospërfaqësimin e barabartë të deputetëve në to.

Por kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli u tha deputetëve se ndërkohë mund të vendosin qoftë për lëvizje në komisione apo edhe për shtim të numrit të komisioneve.

“Në çdo moment, që nga dita e nesërme, në bazë të rregullores së Kuvendit mund të propozohet formimi i komisioneve të tjera parlamentare e pastaj deputetët të vendosin nëse duan ti krijojnë ato apo jo”, deklaroi Veseli.

Pas formimit të komisioneve parlamentare, Kuvendi i Kosovës mund të proçedojë me miratimin e projektligjeve që i ka nisur qeveria.

Në seancën plenare të së enjtes po ashtu u bë betimi i 13 deputetëve të rinj kosovarë të cilët do të zëvendësojnë kolegët që kanë marrë poste ministrore.

Top Channel