Arrestohet i kërkuari nga drejtësia belge, sekuestrohen armë

18/12/2014 00:00

Policia e Shtetit ka dalë gjatë mbrëmjes së të enjtes në një konferencë për shtyp, në të cilën zëdhënësi Genti Mullai ka bërë të ditura disa të dhëna të një operacioni policor ndaj një grupi kriminal që ushtronte veprimtari të paligjshme si brenda edhe jashtë vendit. Si pasojë e tij, forcat e policisë kanë mundur të arrestojnë shtetasin Dorian Duli dhe të sekuestrojnë disa armë si provë materiale.

“Strukturat e Policisë së Shtetit kanë finalizuar gjatë së enjtes një operacion policor, duke mundësuar arrestimin e shtetasit Dorian Duli, 36 vjeç, banues në Shkodër, person me precedent penalë brenda dhe jashtë vendit, si dhe ekzekutimin e letërporosisë së autoriteteve belge, të Gjykatës së Shkallës së Parë Luvër, për kontrollin e banesës së këtij shtetasi, me synim sekuestrimin e pasurisë së vjedhur në Belgjikë”, tha zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai.

Dyshohet se shtetasi Duli ka kryer vjedhje me armë brenda dhe jashtë vendit, falë një grupi kriminal të organizuar, i cili u godit nga Policia e Shtetit në muajin tetor 2014, në bashkëpunim me autoritetet belge. Ai dyshohet të ketë precedent të rëndë penalë edhe në shtetin grek. Raportohet se në momentin që forcat e policisë po ushtronin kontroll në banesën e tij, Dorian Duli ka tentuar të largohet nga pjesa e pasme e banesës.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë zjarri pistoletë, një armë gjahu me tytë të shkurtër, 3 krëhëra me fishekë, 80 fishekë të kalibrit 9 dhe 12 mm, armë që do t’u nënshtrohen ekspertimit pranë laboratorit kriminalistik.

Top Channel