Tiranë, i zoti i shtëpisë vret me armë zjarri dy grabitës

17/12/2014 00:00

Dy grabitës u vranë nga pronari i një vile dykatëshe në zonën e Selitës në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 8 e 30 minuta të mëngjesit të së mërkurës.

Policia ka versionin e të zotit të shtëpisë, i cili pranon se kreu vrasjet e dy të rinjve të maskuar, të cilët kishin hyrë në shtëpinë e tij për të vjedhur e që më vonë u identifikuan si Ervin Shaba dhe Adnan Luli, 22 dhe 27 vjeç.

Sipas Flamur Ymerit, i cili është i ndaluar, dy grabitësit ishin futur të armatosur në shtëpinë e tij, duke e shtyrë të zonjën e vilës dhe duke filluar kontrollin për sende me vlerë në banesë.

Ata kanë qenë të armatosur. Pronari i vilës, i cili dispononte një armë gjahu, çifte, i ka qëlluar të dy në dhoma të ndryshme të banesës, duke i lënë të vdekur në vend. Dëshmia e Ymerit përkon – sipas policisë – me këqyrjen që ajo i bëri vendit të ngjarjes.

Të dy personat e vdekur u gjetën në dhoma të ndryshme, të maskuar dhe të armatosur. Identifikimi ka hedhur dritë mbi qëllimin e tyre, që sipas policisë ishte grabitja. Në këtë zonë, sipas banorëve, kohët e fundit ka pasur grabitje të shpeshta.

“Jemi larguar nga shtëpia për të shkuar në spital se kisha fëmijën sëmurë. Kur jam kthyer e kemi gjetur shtëpinë bosh. Kishin vjedhur edhe gjërat më elementare. Edhe unë po ta kisha gjetur brenda do ta kisha vrarë, siç e vrau ky. Kohët e fundit faktikisht ka pasur grabitje. Shteti duhet të vendosë dorë. Kanë grabitur shpesh, por shpresojmë që të jetë e fundit kjo”, thonë banorët e lagjes. 

Policia ka transportuar drejt morgut dy të vrarët për të bërë ekspertizën mjekoligjore.

Top Channel