HRW thirrje Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale

16/12/2014 00:00

“Human Rights Watch” u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të 
miratojë menjëherë ndryshimet legjislative dhe kushtetuese të nevojshme
për Gjykatën Speciale që do të merret me krimet e pasluftës.

Në një raport të Human Rights Watch shkruhet se Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare më 8 qershor 2014, por rezultati i ngushtë zgjedhor parandaloi formimin e një qeverie dhe parlamenti deri më 9 dhjetor.

Parlamenti i mëparshëm i Kosovës, në prill miratoi krijimin e Gjykatës Speciale për të gjykuar krimet serioze të kryera pas luftës (1998-1999), në Kosovë.

Miratimi i statusit të gjykatës dhe aprovimi i ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që aktakuzat mund të paraqiten dhe gjykimet mund të fillojnë i mbeti legjislativit të ri.

“Funksionalizimi i Gjykatës Speciale duhet të jetë një prioritet kryesor për parlamentin e ri të Kosovës”, citohet të ketë thënë Lotte Leicht, drejtor i Bashkimit Evropian në Human Rights Watch, duke shtuar se “vetëm një gjykatë speciale e pavarur dhe e besueshme me mbrojtje efektive të dëshmitarëve mund të adresojë pretendimet serioze të krimeve të tmerrshme të pas luftës”.

Në këtë raport, thuhet po ashtu se BE-ja dhe SHBA-të kanë theksuar vazhdimisht në publik rëndësinë e një procesi gjyqësor transparent dhe të besueshëm për të gjykuar.

Top Channel