Mustafa i përgjigjet akuzave të Qoses: Nuk i fshij asnjë shkronjë biografisë sime

14/12/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po vazhdon të merret me reagimet e kritikëve ndaj tij, të cilët e kanë akuzuar për tradhtim të koalicionit paszgjedhor, si dhe për punët që ai ka bërë gjatë regjimit të ish-Jugosllavisë.

Mustafa ka thënë se ai është i përkushtuar të punojë për ta nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë ekonomike dhe izolimi, e për ta forcuar shtetin ligjor. Ndërsa ka shtuar se të kaluarën ua lë të merren ata, që kanë bërë profesion, “të kukasin, të tmerrohen e të lemerisen”.

“Unë nuk do të humbas kohë me ta. Milosheviçin, Rrahman Morinën, Rankoviçin, UDB-në, socializmin e komunizmin, përgjimet, shantazhet, mikrofonat, kamerat, montimet ua lë atyre, që jetojnë ende me ta dhe kanë dëshirë t’i përkujtojnë, sepse i kanë në ADN-në e tyre. E disa, sa u përket veprimeve por edhe krimeve të përfolura, nuk janë larg tyre”, ka shkruar Mustafa të dielën në Facebook.

Ky reagim i Mustafës vjen një ditë, pasi akademiku Rexhep Qosja e bëri atë fajtor për diferencimin e shqiptarëve në kohën e ish-Jugosllavisë.

Rexhep Qosja ka thënë Isa Mustafa është vrasës, sepse ka marrë pjesë në diferencimin e shqiptarëve në kohën e Rrahman Morinës e Milosheviçit. Megjithë këtë, kryeministri Mustafa ka thënë se nuk do t’ia fshijë as edhe një shkronjë biografisë së tij.

“I qëndroj pas çdo veprimi dhe çdo pune, që kam bërë në të gjitha periudhat, dhe mburrem me punën time. Jam ballafaquar hapur me çdo qytetar dhe jam sjellë në çdo rreth si çdo qytetar tjetër”, ka thënë Mustafa.

Numri një i ekzekutivit kosovar ka shkruar po ashtu, se çdo gjë që e posedon, e ka si trashëgimi të familjes, ose e ka krijuar me punën e tij dhe të anëtarëve të familjes.

Top Channel