Detyrim paraqitje për kanosësin e kreut të Bashkisë së Korçës

13/12/2014 00:00

59-vjeçari i cili kërcënoi kreun e Bashkisë së Korçës për shkak se
shtëpia e tij prishet nga projekti i rrugës Gjon Buzuku është lënë në
masën detyrim paraqitje.

Në sallën ku kanë qenë prezentë  edhe shumë nga  pronarët e banesave të tjera që do të shemben për zbatimin e projektit të rrugës, Petrit Xhelollari është vënë përballë togave të zeza ku organi i akuzës ka faktuar disa prej rasteve që 59-vjecari ka kërcënuar kryebashkiakun Sotiraq Filo.

Sipas të dhënave para disa javësh ai ka patur takim me kryetarin e bashkisë për ndryshim të çmimit të kompensimit. Më tej në një tjetër takim tek sheshi para katedrales së qytetit, pasi Filo ka zbritur nga makina, Petriti i ka thënë ‘ti nuk mund ta prishësh objektin pasi unë kam derdhur gjak për ta ndërtuar’. Më pas ai i ka shkuar te zyra me vajzën dhe dhëndrin duke i thënë nëse e prish do jesh në gjak me mua.

Përsëri ka shkuar te vjehrri i kallëzuesit i cili ka në pronësi një farmaci për të blerë paracetamol dhe i ka thënë nëse prishet ndërtesa jeni në gjak. Ndërsa organi i akuzës ka kërkuar që ndaj 59-vjeçarit të lihet masa detyrim  paraqitje, mbrojtja është kundërpërgjigjur duke pretenduar se argumenti i kanosjes nuk qëndron pasi palët nuk kanë pasur përplasje verbale. Sipas saj Filo e ka sajuar kanosjen për të dhënë mesazhin edhe banorëve të tjerë që nëse dalin në protestë do të arrestohen.  

Në seancë nuk ka heshtur as i arrestuari Xhelollari. ” Kërkoj që të më mbrohet jeta sepse ndjehem i kërcënuar. Filo na ka bërë një terror pasi do na prishin banesën. Bëj thirrje ambasadës amerikane sepse ndihem i kërcënuar këtu. Jam i pafajshëm”, është shprehur ai.

Pasi ka shqyrtuar pretendimet e të dyja palëve gjykata ka vendosur masën detyrim paraqitje për 59- vjeçarin Petrit Xhelollari.

Top Channel