Prangoset kërcënuesi i kryebashkiakut të Korçës

11/12/2014 00:00

Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, është vënë në qendër të kërcënimeve të njërit prej pronarëve të banesave në rrugën “Gjon Buzuku” që do të prishen për shkak të rikonstruksionit të rrugës.

59-vjeçari Petrit Xhelollari në mënyrë të vazhdueshme ka kërcënuar kryebashkiakun si përgjegjës për prishjen e ndërtimit të tij shumëkatësh në katin e parë të të cilit është vendosur një biznes dhe 2 katet e tjera përdoren për banim.  

Sipas të dhënave, pronari i pakënaqur nga vlera që përfiton si rrjedhojë e shpronësimit i është drejtuar në mënyrë të përsëritur kreut të Bashkisë me mesazhe kërcënimi dhe fjalë të tjera çka ka bërë që ai tu drejtohet autoriteve përkatëse.

Policia tha se “më datë 10.12.2014 u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Petrit Xhelollari, banues në lagjen 5 të qytetit pasi ka bërë kallëzim shtetasi Sotiraq Filo, banues në lagjen 2, me detyrë kryetar Bashkie Korçë, i cili deklaron se për shkak të detyrës është kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme nga shtetasi i mësipërm”.

Top Channel