Konferenca rajonale për dixhitalizimin

11/12/2014 00:00

Në Prishtinë po zhvillohet Konferenca rajonale për dixhitalizimin, e organizuar nga OSBE dhe Komisioni i Pavarur për Media.

Në Kosovë procesi i dixhitalizimit ka filluar në vitin 2007 si një objektiv kyç i KPM-së, por shpesh herë raporte të ndryshme mbi gjendjen e medias në Kosovë e kanë krititikuar si të ngadaltë.

Procesi duhet të përfundojë në verën e vitit të ardhshëm. KPM krijoi grupe pune në vitin 2009, në mënyrë që të krijohej një projekt/strategji për procesin e dixhitalizimit dhe puna ende vazhdon.

“Afati për kalimin në sistemin dxhital është data 17 qershor 2015, kështu që duhet të bëhet përpjekje më e madhe që një gjë e tillë të arrihet në kohë. Qëllimi i kësaj konference është që t’i ndihmojmë institucionet në Prishtinë, Tiranë dhe Sarajevë në këto përpjekje”, deklaroi Jean Claude Schlumberger, kryesues i misionit të OSBE-së.

“Përshtypja e parë ishte se ndoshta me dixhitalizimin kemi mbaruar punë, në kuptimin e organizimit të konferencave, të analizave dhe debateve. Por e dëshironim këtë mbledhje për të parë me saktësi atë se çfarë po ndodh dhe ku është rajoni me procesin e dixhitalizimit. Rëndësinë e këtij takimi e vërteton pjesëmarrja e mediave dhe i thuajse të gjitha grupeve të interesit”, tha nga ana tjetër Adnan Merovci, kryetar i Komisionit të Pavarur të Medias.

Ndërsa përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi tha se kalimi nga transmetimi analog në atë dixhital është një kalim teknik, por me rëndësi të madhe.

Ai tha se BE është e interesuar që ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim, ndaj shtoi se në këtë konferencë do të paraqiten sugjerime dhe këshilla të ndryshme.

Për dy ditë, përfaqësues të agjencive rregulluese për mediat audio-vizive dhe të transmetuesve publikë nga Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva dhe Tirana do të diskutojnë për sfidat me të cilat përballen dhe do të kërkojnë zgjidhje se si të përmbushet afati për kalimin në transmetim dxhital brenda 17 qershorit 2015, kur është dhe dita e fundit e trasnsmetimeve analoge.

Top Channel