Isa Mustafa, të premten merr zyrtarisht detyrën

11/12/2014 00:00

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa do të marrë zyrtarisht të premten detyrën e kryeministrit të Kosovës, që do t’i dorëzohet nga kryeministri në ikje, Hashim Thaçi.

Sipas informacioneve të marra në rrugë zyrtare, ceremonia do të mbahet në selinë e qeverisë së Kosovës, në zyrën e kryeministrit, në orën 14:00.

Në të njëjtën ditë do të përmbyllet edhe procesi i dorëzimit të detyrave për ministrat e rinj, të cilët do të firmosin edhe pranimin e tyre.

Ndërkohë, në fillim të javës së ardhshme qeveria e re do të nisë menjëherë miratimin e një sërë projekt/ligjeve që presin miratimin brenda vitit edhe nga Kuvendi, mes të cilëve spikat ai për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, gjatë ditës së premte Isa Mustafa firmosi një marrëveshje me Partinë Liberale Egjiptiane dhe Partinë e Ashkalinjëve për Integrim, e cila parashikon që dy deputetë të komuniteteve përkatëse në mandatin e tanishëm t’i bashkohen grupit parlamentar të LDK-së.

Për këtë lëvizje, dy partitë minoritare do të përfitojnë dy poste zëvendësministrash dhe katër poste këshilltarësh politikë në ministri të ndryshme.

Gjithashtu, Mustafa, në mbledhje të ndara me kryetarët e degëve dhe më pas me kryesinë diskutoi për proceset e fundit politike në vend. Krerët e degëve të partisë uruan Mustafën për postin e kryeministrit dhe vlerësuan lartë rolin shtetformues të LDK-së.

Ndërsa kryesia diskutoi rreth ndarjeve të komisioneve parlamentare, si dhe caktoi kryesuesit e atyre që i takojnë LDK-së. Kështu, komisioni për buxhet dhe financa do të drejtohet nga Naser Osmani, komisioni për integrime europiane nga Teuta Sahatçija, komisioni për drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione nga Lirije Kajtazi, komisioni për zhvillim ekonomik, infrastrukturë dhe telekomunikacion nga Muhamet Mustafa, kurse Teuta Rugova do të jetë nënkryetare e komisionit për politikën e jashtme.

Top Channel