Çfarë qeverisje do të ketë Kosova?

10/12/2014 00:00

Për të komentuar zhvillimet e orëve të fundit në Kosovë në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel foli analisti nga Kosova, Naim Rashidi.

Zoti Rashidi u shpreh se kjo qeveri do ta ketë të vështirë të mbyll këtë mandat 4 vjeçar, jo për arsye të një opozitë të fortë, por për probleme të mëdha që vijnë nga anëtarët e dy partive.

Pandi Gjata: Më në fund kemi Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, një zhvillim që nuk u pa për 6 muaj rresht. Si e shikoni këtë qeverisje të re që nisi në Prishtinë?

Naim Rashidi: Pas 6 muajve traume institucionale dhe politike të zhvillimeve shumë paradoksale kemi një qeveri të dy partive më të mëdha politike të dala nga zgjedhjet e qershorit dhe përfaqësuesit e minoriteteve. Kjo qeverisje do të vazhdojë axhendën e ndërprerë, në veçanti do të fillojë me procesin e buxhetit, si edhe çështjet që lidhen me obligimet ndërkombëtare si gjykata dhe reformimi i Kushtetutës, gjithashtu do të vazhdohet edhe me përmbylljen e implementimit të marrëveshjes së Brukselit. Si qeveri e shumicës, kjo shihet nga populli më shumë si një qeveri e obligimeve ndërkombëtare dhe ka pak shpresa se qeverisja e re do të ndryshojë axhendën ekonomike.

Pandi Gjata: A do të jetë një qeverisje e vështirë edhe në raportin mes PDK dhe LDK, nisur edhe nga historia e dy partive, por edhe e dy liderëve? Si do të ndikojë edhe fakti tjetër që Mustafa do të jetë kryeministër dhe zëvendësi i tij do të jetë pikërisht Thaçi? Si e shikon këtë dualitet Mustafa-Thaçi, kush do të jetë kryeministri?

Naim Rashidi: Kjo është situata më komplekse e dy partive të mëdha, tradicionalisht me marrëdhënie të trazuara në të gjitha historikun e tyre. Këtë herë kjo marrëveshje ka të të bëjë me ambiciet e dy liderëve. Në një farë forme kjo është një marrëveshje e imponuar, e cila do të sjellë shumë trazira në kuadrin e tyre politik. Kemi një numër të ministrave që nuk e meritojnë të jenë në atë post, pai dy liderët e partive kërkojnë ministra të dëgjueshëm. E kam të vështirë të mendoj që kohezion të plotë për të qeverisur këtë 4 vjeçar.

Pandi Gjata: Cila është e ardhmja e zotit Thaçi dhe e zotit Mustafa pas kësaj marrëveshje?

Naim Rashidi: Unë mendoj që roli i zotit Thaçi në partinë e tij është në ikje dhe roli i tij do të përfundojë në 2016-ën me daljen e tij në Presidencë, ndërsa e kundërta është për zotin Mustafa. Përmes qeverisjes dhe ofrimit të mundësive të mbajë partinë nënkontroll. Këtë nuk e shoh si një zhvillim tërësisht demokratik. Dy partitë e mëdha në Kosovë po futen në një transformim serioz, ku sidomos në PDK nuk mendoj që do të kalojë pa telashe.

Pandi Gjata: Ju thoni që nuk do të kalojë pa telashe në PDK, por edhe në LDK është një situatë e komplikuar. A besoni që do të jetë një koalicion që do ta mbylli një mandat 4 vjeçar, nisur edhe nga zotimi i opozitës në parlament?

Naim Rashidi: Nuk mendoj që opozita e tanishme ka mundësitë për t’i shkurtuar ditët e kësaj qeverisje. Problemet më të mëdha për të dyja partitë politike vjen nga vetë anëtarët e partive të tyre. Kohëzgjatja e këtij koalicioni varet kryesisht nga menaxhimi i këtij kohezioni politik brenda saj dhe obligimi i agjendës qeveritare që lidhet me dialogun me dhe çështje të mëdha të vështira. Procesi i reformës elektorale kushtetuese, e cila do të determinojë fatet se çdo të ndodh me postin e presidentit në vitin 2016. Procesi i vitit 2016 mund të kthehet me lehtësi në krizë institucionale dhe të krijojë zgjedhje të reja.

Pandi Gjata: Si e shikon klimën në Prishtinë pas zgjedhjes së kryeministrit, qeverisë dhe kryeparlamentarit?

Naim Rashidi: Unë mendoj që dy partitë e mëdha dhe në veçanti dy liderët e tyre po mundohen të krijojnë një përshtypje pozitive, por në mesin e opinionit publik ka një dyshim dhe një pabesi të madhe. Unë mendoj se nëse nuk do të kishte ekzistuar kjo krizë 6 mujore do të kishim pasur një atmosferë tjetër, por kjo periudhë ka dëmtuar shumë marrëdhëniet midis njerëzve, politikanëve.

Top Channel