Albin Kurti: Qeveri e përbashkët me Beogradin

10/12/2014 00:00

Lëvizja Vetëndosje ka vlerësuar se, me nënshkrimin e marrëveshjes mes Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike dhe Listës Serbe po realizohet formula që parashikon Serbia për Kosovën: më shumë se autonomi e më pak se pavarësi.

Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti tha se janë bashkuar e djatha e Kosovës me të djathën e Serbisë, duke krijuar kështu një qeveri të përbashkët me Beogradin.

“Kjo qeveri është qeveri e përbashkët e Prishtinës me Beogradin. Përmbajtja e marrëveshjes së PDK-LDK dhe Listës Serbe tregon qartë synimin per federalizimin e Kosovës, duke e ndarë sistemin politik, duke krijuar barazi në çdo udhëheqje institucionale dhe duke e formuar me shpejtësi asociacionin e komunave me shumicë serbe”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se si opozitë e fuqishme do të ngrenë komisione hetimore parlamentare, veçanërisht për hetimin e SHIK-ut, por për një gjë të tillë opozitës i duhen edhe 7 deputetë, për të cilët ai u shpreh optimist se do t’i kenë.

“Janë së paku 33 deputetë opozitarë në Kuvendin e Republikës sonë dhe nëse ne arrijmë të kemi edhe 7 deputetë të tjerë për nisma të ndryshme, atëherë natyrisht që do të mund të ketë edhe seanca të jashtzakonshme, por edhe komisione hetimore parlamentare. Ne do ta vazhdojmë iniciativën tonë për një komision hetimor parlamentar për SHIK-un, për shkak se konsiderojmë që nuk mund të ketë as republikë parlamentare, as pavarësi të shtetit, as drejtësi ligjore, as demokraci institucionale pa hetimin dhe zbardhjen e çështjes së SHIK-ut”, theksoi Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes u bëri thirrje diplomatëve ndërkombëtarë që të mos flasin më për korrupsionin dhe krimin në Kosovë, përderisa e mirëpresin këtë qeveri, me koalicion sipas tij të korruptuarish, si dhe instalimin e kreut të nëntokës në krye të Kuvendit.

Top Channel