Lunaçek në Kosovë: Më në fund qeveria!

09/12/2014 00:00

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek po zhvillon një vizitë në Kosovë, ku është takuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, kryeparlamentarin e ri Kadri Veseli, përfaqësuesit e grupit të Grave Deputete, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj e personalitete të tjera në vend.

Në këto takime u diskutua lidhur mbi hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë Kosova drejt rrugës së BE-së. Lunaçek ndoqi nga afër edhe seancën konstituive, ku u krijuan institucionet e reja të vendit. Në konferencë për shtyp ajo përshendeti krijimin e qeverisë, por shprehu shqetësimin për përfshirjen e vetëm dy grave në postet ministrore.

“Më në fund Kosova ka qeveri. Kjo është bazë për vazhdimin e rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ka shumë gjëra që duhet të bëhen nga Parlamenti dhe Qeveria e re. Megjithatë, unë dua të shpreh edhe zhgënjimin tim dhe më lejoni të filloj me faktin që kjo qeveri e re, së paku ashtu siç e pamë në Kuvend para 2 apo 3 orësh, ka vetëm 2 gra nga rreth 21 poste të tilla ministrore. Ky është një zhgënjim mendoj për gratë dhe burrat e këtij vendi, sepse ka pasur premtime më herët, nga ish-kryeministri Thaçi dhe tani nga kryeministri Isa Mustafa se do të kujdesen që në qeverinë e radhës të ketë më shumë femra”, deklaroi Lunaçek.

Sipas saj, prioriteti kryesor i qeverisë së re duhet të jetë investimi tek të rinjtë, në mënyrë që të ndalet fluksi i azilkërkuesve të kohëve të fundit në vendet e Bashkimit Evropian.

Fakti se të rinjtë po braktisin Kosovën, sipas Lunaçek është një sinjal i fortë që kjo qeveri të punojë për kushte më të mira jetese, pasi sipas saj numri i madh i azilkërkuesve vështirëson procesin e liberalizimit të vizave.

Lunaçek tha se është e kënaqur që në takimin me kryeparlamentarin Kadri Veseli i është konfirmuar mbështetja për themelimin e Gjykatës Speciale, që duhet miratuar nga Parlamenti.

Ulrike Lunaçek, duke theksuar se Kosova nuk ka shënuar progress në luftën kundër korrupsionit, foli edhe për zhvillimet e fundit në EULEX. Ajo tha se ndihet e shokuar lidhur me pohimet për korrupsion brenda EULEX-it.

“Jam shokuar kur kam dëgjuar për pohimet për korrupsion brenda EULEX-it dhe unë isha e para që i kam shkruar letër Përfaqësues së Lartë të Politikës së Jashtme të BE, duke i kërkuar që të kryhet një hetim i jashtëm. Veprimi ka qenë i shpejtë dhe tani kemi një hetim të tillë. Në Parlamentin Evropian ne do të presim rezultatet e këtij hetimi dhe në vartësi të tij do të kemi gjithashtu mundësinë që të krijojmë një komision hetimor brenda parlamentit. EULEX është misioni më i madh civil i BE-së dhe pohimet për korrupsion duhet të sqarohen, këta njerëz duhet të sillen para drejtësisë dhe duhet të dënohen. Nga ana e Parlamentit Evropian, ne po bëjmë presion që ky hetim të kryhet”, theksoi Lunaçek.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian tha më tej se në Kosovë duhet të ketë më shumë transparencë, veçanërisht në prokurimin publik, në mënyrë që të luftohet korrupsioni.

Top Channel