Kosovë, ministri serb nuk firmos betimin

09/12/2014 00:00

Ministri serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviç nuk e ka nënshkruar betimin në Kuvend. Ministri i sapoemëruar për Komunitete dhe Kthim dhe deri dje deputet i Kuvendit të Serbisë, e ka marrë dokumentin dhe e ka mbyllur.

Më herët kryetari i Listës Serbe arriti një marrëveshje të re me kryeministrin Isa Mustafa, e cila përveç se u mundëson serbëve marrjen e një posti zv.kryeministri, parasheh që qeveria e Kosovës në pjesën e parë të vitit 2015 të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Po ashtu, marrëveshja me serbët parasheh që Prishtina zyrtare menjëherë të nisë proçedurat për krijimin e kushteve për zyrtarizimin e linjës direkte ajrore Prishtinë-Beograd, si dhe nisjen e një hekurudhe që lidh Kosovën me Serbinë.

Serbët kishin kërkuar po ashtu që të futeshin në marrëveshje edhe çështja e emërimit të një serbi si nëndrejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe emërimin e një serbi si zëvendëskomandant të FSK-së.

Këto kushte Mustafa tha se janë çështje që duhet të rregullohen së shpejti me ligj dhe ua premtoi kur të ndryshojnë ligjet përkatëse.

Top Channel