Kosovë, marshim në mbrojtje të rektorit të UP

09/12/2014 00:00

Studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë, të martën kanë marshuar në përkrahje të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ndaj të cilit po kërkohet dorëheqja nga organizatat e dala nga lufta.

Kërkesa për dorëheqjen e rektorit Zejnullahu ka ardhur, pasi ky i fundit ka kundërshtuar një memorandum mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Prishtinës, i cili garanton regjistrimin e fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, pa iu nënshtruar provimit pranues, si kriter kryesor për arsim të lartë.

Krenare Loxhaj, një nga organizatorët, tha se studentët përkrahin rektorin Zejnullahu, pas ndërhyrjeve në autonomi që i janë bërë UP-së.

Në përkhrahje të rektorit kanë dalë edhe veteranë të UÇK-së. Veterani Rexhep Ahmeti tha se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është e politizuar dhe kërkesa për regjistrimin e fëmijëve të kësaj kategorie, me automatizëm, në UP është e jashtëligjshme.

Studentët deklaruan se do të protestojnë edhe nëse rektori Zejnullahu nuk përmbush planprogramin e tij, ashtu sikurse kanë dalë në mbrojtje të tij. Protestuesit, pas fjalimeve para ndërtesës së Rektoratit, u shpërndanë të qetë.

Top Channel