Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar përmes një mesazhi homologun e sapozgjedhur të Kosovës, Kadri Veseli.
Në mesazhin e tij, Meta i uron suksese kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës dhe e fton që të realizojë sa më shpejt një vizitë në Tiranë.
“Suksese zoti Veseli në detyrën e re dhe urime të gjithë parlamentarëve të Kosovës gjatë kësaj legjislature. Kuvendi i Shqipërisë është përkrah jush në rrugëtimin e përbashkët evropian. Jemi të gatshëm të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë. Kuvendi i Kosovës ka një rol kyç në forcimin e institucioneve demokratike të vendit”, shprehet Meta në mesazhin e tij.
Ai gjithashtu i ka bërë ftesë homologut Veseli që të vizitojë sa më shpejtë Tiranën. “Shqipëria mbështet avancimin e Kosovës drejt së ardhmes europiane pa humbur kohë”, thekson më tej në urimin e tij Meta.
Top Channel