Isa Mustafa kryeministër i Kosovës, ja kabineti i qeverisë së re

07/12/2014 00:00

Marrëveshja e koalicionit mes PDK-së së Hashim Thaçi dhe LDK-së së Isa Mustafës është detajuar edhe me emrat e drejtuesve të dikastereve të dielën në mbrëmje.

Edhe pse gjatë ditës Hashim Thaçi kishte vendosur të qëndrojë jashtë institucioneve deri më 2016 për t’u zgjedhur pastaj president, në mbrëmje atij i është sugjeruar nga partneret ndërkombëtarë që të pranojë të qëndrojë brenda qeverisë për të garantuar kështu funksionimin e koalicionit PDK-LDK.

Ndaj  Hashim Thaçi ka pranuar që të bëhet zëvendëskryeministër i Isa Mustafës dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Marrëveshja finale parasheh që kryeparlamentar të jetë zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Top Channel e ka parë draftin final të marrëveshjes dhe ministritë e ndara mes partnerëve të koalicionit, ndërsa në mbrëmje Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanë caktuar edhe emrat e shumicës së ministrave.

Ministrat e PDK: Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë; Arsim Bajrami, ministër i Arsimit; Besim Beqaj ose Xhavit Haliti, ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor; Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve; Anila Statovci, ministre e Zhvillimit Ekonomik; Edita Tahiri, ministre e Diasporës dhe Enver Hoxhaj, ministër shteti dhe udhëheqës i dialogut teknik Kosovë-Serbi.

Ministrat e LDK: Abdullah Hoti, ministër i Financave; Haki Demolli, ministër i Punëve të Brendshme, Anton Çuni, ministër i Forcës së Sigurisë; Teuta Sahatçija, ministre e Shëndetësisë; Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës; Hikmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë; Ismet Beqiri ose Kujtim Shala, ministër i Kulturës.

LDK do të ketë edhe një zëvendëskryeministër, por emri i tij ende nuk është caktuar.

Minoritetet: Aleksandër Jablanovic, ministër i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, ministër për Komunitete dhe Kthim dhe Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike.

Kabineti i ri qeveritar i Kosovës pritet të jetë i ngarkuar  me shumë zëvendësministra.

Në secilën ministri do të jetë nga një zëvendësministër i PDK-së dhe nga një i LDK-së. Ndërsa, në disa ministri do të ketë edhe 3 zëvendësministra, ku i treti do të jetë nga radhët e minoriteteve.

Sa i takon Kuvendit që do të udhëhiqet nga zëvendëskryetari i PDK, Kadri Veseli, ende nuk janë caktuar as nënkryetarët e Kuvendit, por as shefat e Grupeve Parlamentare. Sipas rregullores së punës së Kuvendit, në seancën konstituive të Kuvendit që do të mbahet të hënën nga ora 12:00, do të votohet për kryetarin e Kuvendit dhe për anëtarët e Kryesisë.

Pas kësaj mund të procedohet me seancë tjetër për zgjedhjen e Qeverisë. Por para se të thirret seanca e re, sipas procedurave dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, presidentja Atifete Jahjaga duhet ta thërrasë liderin e PDK-së për t’i kërkuar emrin e mandatarit të Qeverisë së re.

Sipas marrëveshjes, kreu i PDK-së duhet ta propozojë së pari tek presidentja kandidatin e LDK-së për kryeministër.

Pas kësaj procedure formale, Kryesia e re e Kuvendit pritet të mblidhet dhe të thërrasë seancë të re urgjente brenda ditës së hënë për të votuar qeverinë e re të Kosovës.

Top Channel