Seanca e parë e Kuvendit të Kosovës

06/12/2014 00:00

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë marrë ende ftesë për vazhdimin e
seancës konstituitive. Dy liderët e koalicionit PDK-LDK, Hashim Thaçi
dhe Isa Mustafa e kanë njoftuar ditë më parë Presidenten e Kosovës,
Atifete Jahjaga se kanë rënë dakord që më 8 dhjetor të thërrasin seancën
e Kuvendit për të zgjedhur drejtuesin e tij dhe për të votuar qeverinë.

Por, pavarësisht zotimit të tyre te Presidentja, në praktikë nuk është ndërmarrë asnjë hap për thirrjen e seancës. Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi tha për Top Channel përmes telefonit se deri të premten pasdite, atij nuk i është kërkuar që të përgatisë ftesa për deputetët.

Krasniqi ka thënë se në administratën e Kuvendit, deri tani askush nuk ka njoftuar zyrtarisht se kur do të mbahet vazhdimi i seancës konstituitive. Ai tha se administrata do të shpërndajë ftesat për deputetët për seancën parlamentare, sapo kjo t’i kërkohet nga ana e kryesueses, Flora Brovina.

Zyrtarë të koalicionit PDK-LDK kanë thënë se janë në pritje të kthimit të liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, nga Shtetet e Bashkuara, për të finalizuar marrëveshjen me LDK-në, e më pas për t’u thirrur seanca.

Koalicioni PDK-LDK deri tani ka harmonizuar programin qeveritar, por ende nuk janë marrë vesh për ndarjen e Ministrive dhe për emrin e kryeministrit, që do të drejtojë qeverinë e re të Kosovës.

Top Channel