BE, Avokati i Popullit: EULEX nuk ndoqi proçedurat

06/12/2014 00:00

Insititucioni i Avokatit të Popullit në BE ka analizuar mënyrën se si EULEX dhe Shërbimi Europian për Veprim të Jashtëm kanë trajtuar dyshimet për parregullësi të rënda në radhët e këtij misioni në Kosovë.

Avokatja Emily O’Reilly dhe ekipi i saj kanë zbuluar në lidhje me këto dyshime se, pas raportit për keqpërdorime të dorëzuar në vitin 2012 nga një prokuror i misionit, EULEX nuk ndoqi proçedurat standarde.

Raporti, i cili lidhet me denoncimet e prokurores së pezulluar Maria Bamieh, tashmë është zhdukur. “As EULEX dhe as BE nuk e kanë në zotërim këtë raport të vitit 2012 dhe as nuk dihet se ku ka përfunduar”, shkruhet në përfundimet e avokates O’Reilly.

Pas hapjes së hetimeve paraprake në maj 2013 me fokus tek një gjykatës i EULEX-it, raporti i Avokates së Popullit vëren se ndryshe nga proçedura standarde, misioni nuk caktoi Njësinë e Hetimeve të Brendshme që të merrej me këtë çështje, por themeloi një task forcë hetimore ad hok, e kryesur nga shefi i Divizionit Ekzekutiv, i cili raporton tek kreu i misionit.

Kjo task forcë nga ana e saj propozoi rekrutimin e një prokurori të jashtëm për një hetim paraprak. Por edhe tek zgjedhja e këtij prokuroi hidhen hije dyshimi për mënyrën e proçedimit dhe konfliktit të mundshëm të interesit, pasi personi i përzgjedhur ka punuar më herët në një mision tjetër me zyrtarë të lartë të EULEX-it.

Gjatë punës për hartimin e raportit mbi dyshimet ndaj EULEX janë zhvilluar edhe takime me ekspertin e caktuar nga BE pas shpërthimit të skandalit që përfshiu misionin.

Jean Paul Jacque do të udhëtoje tre herë në Kosovë për të marrë në pyetje personat e përfshirë, ndërsa pritet që të dorëzojë një raport në Parlamentin Europian në janar 2015 për mënyrën sesi EULEX i trajtoi dyshimet për parregullësi në radhët e tij.

Avokatja e Popullit pret që çështja, tepër e rëndësishme, e zhdukjes së raportit fillestar për keqpërdorime në EULEX të analizohet nga eksperti gjatë punës së tij.

Gjithësesi, në raportin e avokates O’Reilly thuhet se është ende herët për të dalë në përfundime dhe vendime, pasi hetimet brenda EULEX-it po vazhdojnë.

“Por ky institucion rezervon të drejtën që t’i rikthehet kësaj çështjeje kur eskperti të ketë thënë fjalën e tij”, thotë raporti i O’Reilly. Avokati i Popullit në BE nuk ka fuqi detyryese për të bërë të respektueshëm vendimet e tij, por në përgjithësi shkalla e respektimit është e lartë.

Top Channel