Terrorizmi, kryeprokurorët e Ballkanit mblidhen në Kosovë

05/12/2014 00:00

Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar ka mbledhur kryeprokurorët nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia dhe Mali i Zi në një konferencë të përbashkët në Prishtinë, për të thelluar bashkëpunimin në sfidën e përbashkët.

E pranishme në hapje të konferencës së kryeprokurorëve të vendeve të Evropës jug-lindore, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka thënë se fenomenet e reja radikale nuk mund të luftohen nga asnjë shtet pa bashkëpunim me shtetet e tjera.

“Asnjë vend nuk është i paprekshëm dhe i pacenueshëm nga trendet e fundit të radikalizmit dhe ekstremizmit, prandaj lufta jonë kundër këtyre të këqijave që po cenojnë sigurinë tonë kolektive duhet të jetë luftë e përbashkët. Ne kemi përqafuar vlerat progresive që përkojnë me aspiratat tona euro-atlantike dhe çdo dështim në këtë luftë do të jetë kthim prapa për popujt tanë”, deklaroi Jahjaga.

Edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha para kryeprokurorëve se terrorizmi nuk është problem vetëm i Kosovës, por është problem nderkombetar. Ndaj, tha ajo, të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë në këtë sfidë të përbashkët.

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe ai i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi folën për angazhimin e qeverisë për të parandaluar rekrutimin e kosovarëve për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Sylë Hoxha tha se gjatë vitit 2013 janë shkatërruar gjithsej 61 grupe kriminale, ndërsa në vitin 2014, deri në muajin nëntor janë shkatërruar 45 grupe të tilla që kanë vepruar në Kosovë por edhe në rajon.

“Për më tepër prokurori i shtetit vetëm gjatë viteve 2013 dhe 2014 ka organizuar dhe kryer me sukses një numër të madh kontrollesh në Kosovë, me qëllim sigurimin e provave materiale për personat e dyshuar për kryerjen e veprave penale të terrorizmit. Si rezultat i këtyre operacioneve një numër i madh i personave të përfshirë në këtë dukuri kriminale janë arrestuar dhe janë vënë para organeve të drejtësisë. Mbi bazën e koordinimeve dhe veprimeve mes prokurorit të shtetit dhe policisë, Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetime kundër 130 personave të dyshuar për terrorizëm. Ndërkohë janë arrestuar me dhjetëra të dyshuar dhe ndaj 36 prej tyre është shqiptuar masa e paraburgimit”, deklaroi Syla.

Kryeprokurori i Shqipërisë Adriatik Llalla tha se shtetasit e Ballkanit nuk kanë asnjë arsye për të marrë pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme.

“Konstatoj qartë se shtetasit ballkanikë që u janë bashkuar formacioneve terroriste janë persona në kushte të varfërisë dhe me arsim tepër të ulët. Pra është një dëshmi e qartë se ballkanasit në përgjithësi nuk mbështesin terrorin. Kësaj veprimtarie i janë bashkuar vetëm një grup i vogël individësh”, tha Llalla.

Konferenca “Sfidat në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën jug-lindore” do të përmbyllet të shtunën me konkluzionet që do të nxjerrin kryeprokurorët e vendeve të rajonit për të thelluar luftën kundër fenomenit.

Top Channel