Kosovë, gazetarët tashmë me mbrojtje ligjore

05/12/2014 00:00

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me një zyrë avokatie, me qëllim mbrojtjen e gazetarëve, por edhe ndihmën gjatë ushtrimit të punës si tyre.

Kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani, ka thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje po përmbushin një nga premtimet e dhëna në fillim të mandatit.

“Kjo marrëveshje do të ndihmojë Asociacionin dhe kolegët tanë gazetarë, anëtarë të AGK, që të zgjidhin problemet e tyre; të jenë të kujdesshëm fillimisht, t’i qartësojnë para se t’i botojnë tekstet e tyre, e për këtë mund t’i drejtohen Asociacionit dhe avokatit, që të konsultohen për terma juridikë që shpeshherë ne nuk i kuptojmë dhe për të cilat kemi nevojë të sqarohemi dhe të konsultohemi me avokatë. Do të kenë mundësi t’i drejtohen Asociacionit, apo avokatit, dhe avokatë të tjerë brenda kompanisë do të jenë në dispozicion, që të ndajnë eksperiencën e tyre dhe të ofrojnë konsulencë kolegëve gazetarë”, tha Zekirja Shabani, kryetar i AGK-së.

Shabani ka shtuar se AGK do të angazhohet edhe në përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve, nënshkrimin e kontratave për ta nga mediat ku punojnë, si dhe respektimin e ligjit të punës.

Avokati Musa Dragusha ka thënë se, së pari duhet të rishikohet Kodi i Etikës së Gazetarit dhe duhet të harmonizohet me standardet ndërkombëtare.

“Lidhur me çështjen e mosrespektimit të etikës, ju e dini që sipas ligjit gazetari është i detyruar që të informojë objektivisht, duke e respektuar etikën e gazetarit. Ky është parimi qenësor i ushtrimit të profesionit të gazetarit, është e para. Sigurisht që edhe Kodi aktual i Etikës së Gazetarit duhet të rishikohet, ai duhet të harmonizohet me standardet ndërkombëtare. Të jetë një kod, i cili i përshtatet kohës dhe nevojave aktuale të gazetarisë në Kosovë. Ne duhet të kuptojmë se gazetaria në Kosovë, posaçërisht ajo hulumtuese, është avancuar jashtëzakonisht shumë në dekadën fundit”, tha Musa Dragusha, avokat.

Shabani dhe Dragusha kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme në konsultime të ndryshme për gazetarët anëtarë të AGK-së ,24 orë të ditës, çdo ditë të javës, nga avokatët e kompanisë, të cilët do të jenë pa pagesë.

Sipas AGK-së, gjatë muajit të fundit, në këtë Asociacion janë paraqitur 22 raste të raportuara për kërcënime, shantazhe etj.

Top Channel