Jacobson: Korrupsionin luftojeni nga rrënjët

05/12/2014 00:00

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson i ka bërë thirrje qeverisë së re të Kosovës që “korrupsionin ta luftojë nga rrënjët”.

Jacobson tha se duhet një qasje më e gjerë nga institucionet, mediat dhe shoqëria civile për ta luftuar këtë dukuri. Këto deklarata Jacobson i bëri në një konferencë me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

“Ka pasur shumë raporte në media këtë javë që Kosova renditet në vendin e 110 prej 177 vendeve dhe ne e mbështesim plotësisht deklaratën që e ka dhënë OEA, në mënyrë që edhe qeveria e re kur të themelohet, ta luftojë korrupsionin prej rrënjës. Jo vetëm nepotizmin dhe vendet e punës që janë përmendur në raportin e Transparency International, por po ashtu edhe sa i përket mjedisit qeveritar. Një në 5 kosovarë kanë paguar ryshfet dhe 40 për qind e kosovarëve janë të gatshëm që ta paguajnë atë. Dhe kjo do të thotë se duhet të kemi një qasje të gjërë jo vetëm nga qeveria dhe bizneset, por edhe nga faktorët e tjerë. Mendoj se edhe shoqëria civile edhe media kanë një rol për të luajtur këtu. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim rolin e OEA edhe në vitin 2015”, deklaroi Jacobson.

Diplomatja amerikane më tej tha se shpresa e vetme për rritjen ekonomike të Kosovës është zhvillimi ekonomik i udhëhequr nga sektori privat, gjë të cilën po e bën kjo odë.

Ndërsa kryetari i OEA, Arian Zeka, i cili foli për sfidat dhe arritjet e kësaj ode që nga themelimi, pohoi se OEA mbetet një zë i fuqishëm i biznesit në vend.

“OEA sot numëron 170 anëtarë. Gjatë tri viteve të fundit ajo është dyfishuar me numrin e anëtarësisë. Anëtarësia, ose bizneset që ne sot përfaqësojmë, kanë një qarkullim të përbashkët prej 1.8 miliardë euro dhe punësojnë bashkarisht pak më pak se 25 mijë punonjës. Gjë që realisht na bën një zë jashtëzakonisht të fuqishëm të biznesit në këtë vend. Gjithashtu, ne jemi krenarë që jemi organizata më e fuqishme e biznesit të huaj në vendin tonë”, tha Zeka.

Zeka përmendi edhe vështirësitë me të cilat janë ballafaquar bizneset amerikane të cilat kanë ardhur në Kosovë, disa prej të cilave janë detyruar dhe të largohen si pasojë e një mjedisi të pafavorshëm për të bërë biznes.

Zeka tha se tërheqja e investimeve nuk është roli i një ode, meqenëse kjo është detyrë e Agjencisë për Promovimin e Investimeve dhe ministrive përkatëse. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është një organizatë e pavarur joqeveritare.

E themeluar në vitin 2004, ajo është formalisht e akredituar nga Oda Ekonomike e Shteteve të Bashkuara në Uashington, e cila i mundëson OEA-së të veprojë si një urë lidhëse me bizneset  kosovare.

Top Channel