KS i OKB diskuton raportin 6 mujor për Kosovën

04/12/2014 00:00

Këshilli i Sigurimit të  Kombeve të  Bashkuara ka diskutuar raportin gjashtë mujor për zhvillimet në Kosovë.

Edhe pse seanca ishte për Kosovën, në sallën e OKB-së temë u bë edhe Shqipëria, përkatësisht rasti i dronit në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Shefi i UNMIK-ut tha se vizita e kryeministrit shqiptar në Serbi pas 68 vjetëve dhe pas incidentit me dronin ishte një tregues se në rajon duhet të krijohen raporte të mira ndërfqinjësore.

Edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e shfrytëzoi foltoren në  Këshillin e Sigurimit për të thënë se incidenti në  Beograd nuk ishte për fajin e serbëve.

“Serbia nuk ka pasur asgjë me këtë incident. Ne kemi reaguar në përputhje me ligjin. Përkrahësit e shqiptarëve kanë sjellë në Serbi një hartë dhe flamur të madh shqiptar. Paramendoni çka do të ndodhte në një vend tjetër. Megjithëkëtë pas këtij incidenti ne kemi pritur kryeministrin e Shqipërisë në një vizitë dhe kjo ka ndodhur pas 68 viteve”, është shprehur Vuçiç.

 Pas Shqipërisë, Vuçiç foli për raportin e OKB-së për Kosovën dhe marrëdhëniet e reja mes dy vendeve. Ai ka thënë se Serbia është e gatshme të vazhdojë bisedimet me Kosovën, por tha se pala kosovare prej 6 muajsh nuk po arrin të krijoj institucione.

Vuçiç ka folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit edhe për krimet e luftës në Kosovë, duke fajësuar institucionet e drejtësisë për mos ndëshkimin e autorëve të vrasjeve që sipas tij, i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur para anëtarëve të Këshillit për arritjet e vendit në gashtë muajt e kaluar, por duke mos lënë anash as sfidat.

“Qytetarët e Kosovës, qofshin ata shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, turq apo romë, tani më nuk u interesojnë fjalimet nacionaliste apo ëndrrat e vjetra etnike. Ata duan punë, duan progres dhe duan të shohin paqe pas dekadave të diskriminimit, luftës dhe pasigurisë”, deklaroi Thaçi.

Thaçi ka folur edhe për luftën e pa kompromis që Kosova ka bërë gjatë muajve të fundit për të parandaluar pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Ai ka thënë se Kosova ka arrestuar imamë të dyshuar për bashkëpunim, por edhe për nxitje të kosovarëve për pjesëmarrje në luftë, ndërsa ka premtuar vazhdim të punës në këtë drejtim.

Raporti i paraqitur në Këshillin e Sigurimit nga Përfaqësuesi Special i OKB-së në Kosovë kryesisht ka prezantuar problemet në terren që vazhdojnë t’i kenë qytetarët e minoriteteve, sidomos sa i takon kthimit të tyre.

Top Channel