PDK: Thaçi nuk do të tërhiqet nga asgjë

03/12/2014 00:00

Partia Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë zërat se kryetari i saj Hashim Thaçi është i gatshëm të tërhiqet nga postet kyçe në qeveri.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati ka deklaruar se Thaçi nuk ka thënë asnjëherë se mund të tërhiqet nga ndonjë pozitë.

Ndërkohë, sa i përket koalicionit, Musmurati ka thënë se marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës do të nënshkruhet brenda pak ditëve.

“Kur ka thënë Thaçi se po tërhiqet? Gjërat do t’i merrni vesh më vonë. Sa për marrëveshjen, ajo do të nënshkruhet shumë shpejt”, ka thënë sekretari i përgjithshëm për gazetën “Express”.

Thaçi dhe Mustafa u takuan të enjten e kaluar dhe pas takimit zyrat përkatëse shpërndanë njoftime të ngjashme, ku thuhej se marrëveshja për bashkëqeverisje do të nënshkruhej këtë javë.

Por gjërat duket se janë ngadalësuar pasi Thaçi, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ka udhëtuar për në Nju Jork ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Top Channel