Prishtinë, protestë e veteranëve të UÇK-së

27/11/2014 00:00

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me fëmijët e tyre kanë protestuar të enjten para rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Ata kërkuan respektimin e një memorandumi që është nënshkruar vite më parë nga ish-rektori Mujë Rugova dhe Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, marrëveshje kjo që parashikon regjistrimin e fëmijëve të veteranëve në UP pa provim pranues.

Edhe pse ditë më parë ministri i Arsimit Ramë Buja dhe Këshilli Drejtues i UP-së i kanë rekomanduar që të zbatohet ky memorandum, rektori i sapozgjedhur Ramadan Zejnullahu ka kundërshtuar një marrëveshje të tillë, pasi që sipas tij, asnjë student nuk mund të pranohet pa plotësuar kriteret për studime, në të kundërt ka paralajmëruar dorëheqjen.

Në mbështetje të rektorit Zejnullahu gjatë ditës ka dalë edhe kryeministri në largim Hashim Thaçi. “Kosova kurrë nuk do të harrojë sakrificën e veteranëve të UÇK-së dhe qeveria ime ka punuar pa ndërprerje që statusi i familjarëve të dëshmorëve dhe veteranëve të jetë i spikatur në shoqërinë tonë.

Megjithatë, përkrahim UP “Hasan Prishtina” dhe drejtuesit e universitetit në zbatim të përpiktë të marrëveshjeve dhe standardeve të pranimit të studentëve.

Afatet kohore për regjistrim dhe mësim, kushtet e marrëveshjes paraprake dhe e drejta ligjore e vlefshme vetëm për ata që me të vërtetë kanë nevojë dhe meritë duhen respektuar. Zgjidhjet duhen gjetur konform marrëveshjeve dhe afateve ligjore e jo në rrugë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Top Channel