Prishtinë, hapet panairi “Blej Shqip”

27/11/2014 00:00

Hapja e panairit “Blej Shqip” me prodhime shqiptare nisi zyrtarisht aktivitetet e organizuara në Prishtinë në nder të festës së flamurit.

Panairi me 50 prodhues nga Kosova, 50 nga Shqipëria dhe 13 nga Maqedonia do të jetë i hapur për dy ditë në qendër të kryeqytetit kosovar.

“Ne mendojmë se me këtë do t’i jepet një nxitje iniciativave në hapësirën shqiptare, në mënyrë që të shihet mundësia që të prodhojmë, shkëmbejmë dhe blejmë shqip”, deklaroi ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi.

“Qëllimi i këtij organizimi është që kompanitë shqiptare, kosovare dhe ato maqedonase ku jetojnë shqiptarët të gjejnë një vend ku të shkëmbejnë përvojat dhe ku konsumatorët të blejnë produkte shqiptare”, tha Gazmend Bashota, drejtor i Ekonomisë dhe Zhvillimit pranë Komunës së Prishtinës.

Mbledhja e të gjithëve në një qytet, në këtë organizim të Ministrisë së Tregtisë së Shqipërisë dhe Komunës së Prishtinës është vlerësuar pozitivisht nga prodhuesit pjesëmarrës.

“Është shumë e nevojshme të njihemi dhe të dalim jo vetëm në Prishtinë, ku jemi vëllezër sepse jemi një, por edhe në Evropë”, u shpreh Xhiljane Noci nga Shkodra.

“Është ndër gjërat më me vlerë, sepse ne kemi të njëjtat tradita dhe të njëjtat gjëra që janë të përshtatshme për tregun shqiptar dhe atë të Kosovës”, tha Idriz Qela nga Kruja.

Kryeqyteti kosovar, si asnjëherë më parë është mbushur vetëm me flamuj kombëtar. Në dallim nga vitet tjera, me ngjyrat kuq e zi janë dekoruar edhe pjesët periferike të qytetit.

Festa ka nisur një ditë më herët, me nxënës të shkollave fillore, të cilët në mënyrë të organizuar e me flamuj në dorë kanë marshuar në qendër të qytetit duke kënduar himin kombëtar.

Ndërkohë që për 28 Nëntor, nga Komuna e Prishtinës janë paralajmëruar aktivitete të shumta me muzikë popullore, grupe polifonike, valle popullore, kënd të veçantë për argëtimin e fëmijëve, etj. Ndërsa koncerti kryesor do të fillojë në orën 20:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Top Channel