Patosi,  historia e qytetit të naftëtarëve

26/11/2014 00:00

Qyteti i Patosit nisi të ndërtohej në vitet ‘40 pas Çlirimit menjëherë pas zbulimit të naftës në këtë zonë. Për disa dekada qyteti ishte qendra e industrisë së naftës dhe kishte një mirëqënie më të lartë se të gjithë.

Por aktualisht Patosi është një nga qytetet më të varfëra dhe me shumë probleme sociale. Të gjitha këto janë trajtuar në një libër të promovuar në Pallatin e Kulturës së qytetit. “Historia e Patosit”, tregon edhe historinë e ndërtim dhe rrënimit të industrisë së naftës.

Banorët e këtij qyteti dikur prodhonin 2.2 milionë fuçi naftë në vit. I vetmi deputet që ka dalë nga ky qytet ka folur për problemet sociale që kërkojne zgjidhje, por edhe për bashkëjetesën e admirueshme të komuniteteve të ndryshme.

“Jemi këtu për të promovuar një libër shumë të nevojshëm që vjen në kohën e duhur për të treguar për brezat e rinj historinë tonë. Ngjarjet e shënuara dhe personazhet që nuk do të harrohen. Sot Patosi nuk është në periudhën e tij më të mirë, por fëmijët tanë me anë të librave të tillë do të mësojnë se jo gjithmonë ka qenë kështu”, deklaroi deputeti Mamo.

Autorja e këtij libri historik Lindita Qalliaj nëpërmjet vëllimit prej 292 faqesh ka dashur të vërë në dukje historikun e qytetit naftëtar si dhe figurat e shquara të tij.

Top Channel