Kosovë, qeveri me duar të pastra

26/11/2014 00:00

Dy partitë e koalicionit të ri në Kosovë po vazhdojnë përgatitjet për krijimin e institucioneve të reja edhe pse ende mungon emri i kryeministrit të ri.

Grupet e punës po punojnë për hartimin e programit të përbashkët qeverisës, por PDK dhe LDK ende nuk i kanë caktuar emrat e udhëheqësve të dikastereve.

Mësohet se ministrat e qeverisë së re të Kosovës, para se të prezantohen para publikut do të duhet të marrin së pari dritën jeshile nga ambasadat e akredituara në Prishtinë.

Ndërkombëtarët i kanë sugjeruar Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës që të mos përfshijnë në ekzekutiv ministra që mund të kenë ndonjë akuzë apo që mund të kenë qenë më parë të përfshirë ndonjë aferë të krimit apo korrupsionit.

Burime të Top Channel brenda dy forcave politike kanë bërë të ditur se emrat e ministrave të rinj po konsultohen me misionet diplomatike që kanë ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike.

Diplomatë perëndimorë që punojnë në Prishtinë kanë këshilluar liderët e koalicionit qeverisës që të emërojnë ministra njerëz profesionistë të fushave përkatëse e jo zyrtarë partiakë që kanë fuqi brenda partisë por që nuk janë kompetentë për fushat e caktuara.

Por pavarësisht konsultimeve të grupeve të punës, emrat e ministrave në fund pritet që t’i shpallin personalisht dy liderët e partive të koalicionit, natyrisht pas konsultimeve me ndërkombëtarët.

Top Channel