Dita e FSK-së, Jahjaga: Së shpejti te Forcat e Armatosura

26/11/2014 00:00

Oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë parakaluar të mërkurën në
Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, për të festuar përvjetorin e tyre
të fundit si pjesëtarë të FSK-së.

Në Ditën e Forcës së Sigurisë, krerët më të lartë të shtetit u premtuan oficerëve të FSK-së se shumë shpejtë ata do të jenë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës.
 
“Me përmbylljen e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë – një proces gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional – që analizoi mekanizmat tonë të sigurisë, nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe interesat e orientimet strategjike të shtetit tonë – është shtruar nevoja e krijimit të një Force moderne të armatosur, me kapacitete mbrojtëse, që adreson sfidat e sigurisë, e kompleton infrastrukturën tonë të sigurisë dhe në proces e sipër të profesionalizimit me standarde të NATO-s synon anëtarësimin e saj të plotë në këtë aleancë. E ardhmja e Forcës së Armatosur të Kosovës, që nuk ka alternativë, mbetet punë parësore për Kuvendin e ri”, tha Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.
 
 “Sot kur po e shënojmë ditën e forcës Kosova e ka kaluar një sfidë dhe periudhë të vështirë politike por së shpejti kjo do të rezultojë me funksionimin dhe ndërtimin e institucioneve të reja, parlamentit dhe qeverisë së Kosovës, njëra ndër prioritetet e institucioneve që do të funksionalizohen së shpejti do të jetë edhe zotimi për t’i kaluar të gjitha procedurat legale dhe juridike që FSK-ja të transformohet sa më shpejtë në Forca të Armatosura të Kosovës dhe arsye për të ndodh një transformim i tillë qëndrojnë pikërisht tek të arriturat e mëdha dhe të përditshme të punës së oficerëve, nënoficerëve në krye me strukturat drejtuese të FSK-së”, u shpreh Thaçi.

Ne kuadër te kësaj dite lideret kosovare dhe kreu i fsk kadri kastrati ishin në prekaz ku bënë homazhe për të nderuar heronjtë e kombit në kompleksin e varrezave të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.
 
“Besojmë se përvjetorin e shtatë FSK-ja do ta shënojë me një emër të ri dhe me një mision të ri dhe unë jam shumë i bindur që vitin e ardhshëm FSK-ja do të transferohet në Forca të Armatosura të Kosovës dhe do ta ndërrojë edhe emrin edhe mision dhe drejtimin e vet drejt një objektivi që është për gjithë neve, që ëhtë anëtarësimi në NATO”, tha Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

Në këtë ditë, u përurua edhe godina e re e ministrisë së re të FSK-së, e projektuar që të jetë ministria e ardhshme e mbrojtes në Kosovë.

Top Channel