Biznesmenët shqiptaro-amerikanë vizitojnë Prishtinën

22/11/2014 00:00

Përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët kanë arritur sukses në sfera të ndryshme të jetës në emigrim, po vizitojnë këto ditë Kosovën.

Ata janë pritur të shtunën nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi.

“Është interesant fakti se kudo që shkon në SHBA takon shqiptarë të suksesshëm. Gjatë vitit të kaluar pata rastin të vizitoja disa vende dhe pothuajse në çdo qytet që vizitova kishte një komunitet shqiptar të organizuar shumë mirë dhe sipas shtetit ishin edhe fushat e suksesit. Për shembull në Teksas vërehej sukses i shqiptarëve në sipërmarrje, në biznesin e restoranteve, ndërsa në Nju Jork mund të takosh shqiptarë të suksesshëm në fusha të ndryshme, si në financë, arkitekturë, mjekësi. Pra, ngado që shkojmë mburremi me shqiptarët që na përfaqësojnë denjësisht”, tha kryetari Ahmeti.

Ndërsa ambasadori i Shqipërisë, Minxhozi u shpreh se, qëllimi i vizitës së këtyre personaliteteve është përcjellja e shembullit, sidomos tek rinia, se kushdo mund të jetë i suksesshëm në jetë.

Top Channel