Ndarja e pushtetit PDK-LDK

21/11/2014 00:00

Dy partitë e koalicionit qeverisës në Kosovë, PDK dhe LDK kanë nisur hartimin e programit të ri qeverisës, ndërsa shumë shpejt pritet edhe ndarja e posteve kryesore udhëheqëse.

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka treguar se gjatë ndarjes së posteve, tani do të përcaktohet edhe posti i presidentit të ardhshëm kosovar.

“Gjithçka është duke shkuar sipas planit. Sot grupet punuese të PDK-së dhe LDK-së janë takuar për të harmonizuar çështjet programore. Është duke u punuar në mënyrë intensive dhe shpresoj që shumë shpejt do të përmbyllet edhe kjo çështje. Gjithçka është e qartë duke e respektuar në plotni marrëveshjen e arritur në mes të PDK-s, LDK-së dhe partnerëve minoritar që do të jenë si pjesë e ndërtimit të institucioneve të të gjitha institucioneve, pra legjislative, ekzekutive dhe presidenciale”.

Grupet punuese të koalicionit të ri qeverisës për hartimin e programit qeverisës janë takuar në ambientet e Kuvendit, por pa praninë e mediave dhe nuk kanë pranuar as të flasin për atë që kanë diskutuar.

Burime brenda takimit kanë treguar për Top Channel se partnerët janë pajtuar që të harmonizojnë premtimet e tyre zgjedhore dhe t’i shndërrojnë një program qeverisës.

I njëjti burim ka shpjeguar se programi do të finalizohet vetëm kur të dihet se kush do të jetë kryeministri që do të marrë përsipër zbatimin e programit qeverisës.

Mësohet se liderët e PDK-së dhe LDK-së që kryesojnë grupin punues për ndarjen e posteve nuk do të zhvillojnë takim deri gjatë vikendit. Kjo sepse kreu i LDK-së Isa Mustafa ndodhet në Bruksel për çështje personale, ndërsa pas kthimit të tij pritet që partnerët të ulen për të ndarë postet kryesore udhëheqëse.

Për koalicionin e ri të arritur mes PDK-së dhe LDK-së të premten kanë diskutuar edhe kryetarët e degëve të PDK-së në një takim me Hashim Thaçin.

Sipas një komunikate të lëshuar pas takimit, kryetarët e degëve të PDK-së e mbështesin  unanimisht koalicionin PDK-LDK, për themelimin e institucioneve.

Top Channel